Haradinaj prezanton kandidatin e Aleancës për Vushtrri

Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sot ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë.

Gjatë kësaj mbledhje u diskutua për zhvillimet e fundit në vendin tonë.

Temë tjetër që u diskutua ishte edhe kandidatura për kryetar të Komunës së Vushtrrisë.

Haradinaj njoftoi se Dega e Vushtrrisë, ka marr vendim që kandidat i Aleancës për kryetar të kësaj komune të jetë Prof. Dr. Sc. Mensut Ademi.

“Aleanca ofron ndryshimin që e kërkojnë qytetarët! Sot në mbledhjen e Kryesisë së Aleancës diskutuam për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend. Informova Kryesinë për takimin që kisha sot me Kryeministrin Kurti, kërkesat dhe shqetësimet që i kam paraqitur, përfshirë temat e dialogut dhe qëndrimit të qeverisë rreth Luftës Çlirimtare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Gjithashtu Kryesia e AAK-së diskutoi për nevojën e menjëhershme të sigurimit të vaksinave për grupet e rrezikuara, si dhe për heqjen e masave, duke nisur nga ndalim qarkullimi i qytetarëve e deri te hapja e plotë e të gjithë sektorëve të ekonomisë”, tha tutje ai.

“Në pikën për zhvillimet organizative në Aleancë, diskutuam përgatitjet për zgjedhjet lokale 2021 dhe kandidaturat për kryetar të komunave. Informova Kryesinë që strukturat e degës së Vushtrrisë, janë dakorduar që kandidat i Aleancës për kryetar të kësaj komune të jetë Mensut Ademi”, tregoi Haradinaj.

“Profesor Mensuti është Doktor i Shkencave Penale dhe Kriminologjisë, ligjërues në disa universitete publike e private në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Evropë dhe Amerikë. Ai është themelues i Asociacionit të Kriminologëve të Kosovës (AKK), Kriminologëve të Ballkanit Perëndimor (WBC), e gjithashtu është anëtar i shoqatave të kriminologëve në Amerikë, Evropë e Azi. Ka punuar në implementimin e shumë projekteve nacionale dhe ndërkombëtare në fushën e kriminologjisë”, shtoi tutje ai.

“Kandidimi i tij për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, tregon seriozitetin dhe qasjen që Aleanca e ka në zgjedhjet komunale, orientimin e saj drejt fitores në favor të ndryshimit që e kërkojnë qytetarët. Prof. Mensuti dhe ekipi i tij, do të jenë të përkushtuar me tërë dijen dhe ekspertizën e tyre, në shërbim të këtij qëllimi. Na priftë e mbara”, ka thënë Haradinaj.