Futbollistet e Kosovës mposhtin edhe Lihtenshtajnin

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futboll në konkurrencën e femrave, ka shënuar edhe fitoren e dytë në kualifikimet për “Euro 2022 “ që po mbahen në Poreç të Kroacisë.

Pas triumfit në ndeshjen e parë të Grupit 5 të Ligës B ndaj Letonisë (3:0), Kosova të premten ka triumfuar edhe ndaj Lihtenshtajnit me rezultatin 2:1.

Fitoren “dardaneve” të reja në këtë përballje ua ka siguruar Fortesa Berisha që ka shënuar të dy golat. Fillimisht, Berisha në minutën e pestë ka zhbllokuar rezultatin nga penalltia ndërsa në minutën e 65-të ka vulosur fituesin e takimit.

Me këtë fitore, Kosova ka tubuar gjashtë pikë dhe ndeshjen e fundit në grup e luan ndaj Kroacisë më 25 tetor në kuadër të raundit të parë kualifikues.

Kalimin në Ligën A (raundin e dytë kualifikues), e siguron ekipi që renditet i parë në grup, ndërsa tutje kalon edhe ekipi më i mirë i vendit të dytë prej gjashtë grupe ve të Ligës B.