Kosovë

Ekspertët rekomandojnë: Të mbillet gruri, pavarësisht skadimit të afatit optimal të mbjelljeve

Deri në gjysmën e nëntorit, në vitet e kaluara kishim sipërfaqe të tëra të mbira me bimë të reja të grurit, ndërsa sivjet më shumë se gjysma e sipërfaqeve të planifikuara për kultivimin e grurit akoma nuk janë mbjellë. Nga vëzhgimet në terren të këtyre ditëve vërehet se diku vetëm 20-30% të sipërfaqeve të planifikuara për mbjellje të grurit, janë mbjellë. Profesor Imer Rusinovci rekomandon se pavarësisht vonesave dhe tejkalimit të afatit optimal për mbjelljet e vjeshtës, “duhet të vazhdohet mbjellja e grurit, por gjithsesi duke e rritur sasinë e imputeve bujqësore”.

Sivjet, mbjelljet vjeshtore, e sidomos mbjellja e grurit, kulturës dominuese në Kosovë, është vonuar përtej çdo parashikimi dhe pritshmërie, për shkak të thatësisë ekstreme që mbretëroi për një kohë të gjatë në prag dhe gjatë afatit të mbjelljeve me kulturat vjeshtore.

Dihet me vite, edhe sipas ekspertëve, afati optimal agroteknik i mbjelljes së grurit konsiderohet periudha nga 5 deri më 25 tetor, ndërkohë që tani gjendemi në gjysmën e muajit nëntor, që i bie se mbjelljet vjeshtore, në pjesën dërmuese të sipërfaqeve të planifikuara janë vonuar thuaja për afër një muaj.Reklama e sponzorizuar

Eksperti dhe profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Imer Rusinovci, ka thënë për Buletinin Ekonomik se këtë vit sipërfaqet kultivuese që janë planifikuar të mbillen me grurë, nuk janë realizuar deri më tani, pavarësisht se gjendemi në mes të nëntorit. Arsyeja kryesore për këtë prolongim (shtyrje), sipas Rusinovcit, ishte se shtatori dhe tetori ishin muaj shumë arid (të thatë – pa reshje) dhe si pasojë u pamundësuan punët përgatitore për punimin e tokës dhe mbjelljet me kohë.

Në Kosovë, afati optimal agroteknik i mbjelljes së grurit konsiderohet periudha nga 5 deri më 25 tetor, afat ky që tanimë ka skaduar. Megjithatë, profesori thotë se “gruri është kulturë kriofile dhe në situata të veçanta, e edhe nga eksperienca, rekomandohet që sipërfaqet që planifikohen të mbillen me grurë dhe nuk kanë përfunduar në kohë optimale, të njëjtat të mbillen edhe gjatë nëntorit, pavarësisht se ka kaluar afati optimal i mbjelljeve të kësaj kulture strategjike.

“Në rastin konkret (këtë vit), fermerët obligohen që gjatë mbjelljeve të nëntorit të shtojnë sasinë e repromaterialeve (farërave dhe plehut mineral)”, thotë ai.

Sipas Rusinovcit, varësisht nga viti, mbjelljet e grurit rëndom sillen te rreth 70.000 hektarë (ha).

“E di që në gjatë korrje-shirjeve të vitit 2023, sipërfaqet kultivuese me grurë ishin për rreth 5000 ha ma shumë në raport me vitin 2022, pavarësisht se prodhimi nuk ishte i kënaqshëm si pasojë e çrregullimeve klimatike”, tha ai.

Ndryshe, nga të dhënat e planifikimit të mbjelljeve vjeshtore në këto vitet e fundit, shihet se më 2017 në vendin tonë janë mbjellë diku rreth 80 mijë hektarë me grurë, më 2018 me këtë kulturë janë mbjellë 74 mijë hektarë, më 2019 vetëm 50 mijë hektarë, më 2020 – 62 mijë hektarë dhe më 2021 në Kosovë kanë qenë të mbjella saktësisht 67.700 hektarë me grurë.

Sipas Rusinovcit, sigurisht se edhe në planifikimet e këtij viti, shifrat lidhur me këtë kulturë mund të jenë të përafërta me 70.000 ha, por ai dyshon se do të realizohen të gjitha, meqë jemi shumë vonë dhe ka kaluar shumë kohë.

“Në këtë datë që po shkruaj (14 nëntor) në vitet e kaluara kishim sipërfaqe të tëra të mbira me bimë të reja të grurit, ndërsa sivjet më shumë se gjysma e sipërfaqeve të planifikuara për kultivimin e grurit akoma nuk janë mbjellë. Nga vëzhgimet në terren të këtyre ditëve, vërehet se diku vetëm 20-30% të sipërfaqeve të planifikuara për mbjellje të grurit janë mbjellë. Andaj periudha e punëve të mëdha u ngelë fermerëve që ta kryejnë këtë operacion të rëndësishëm agroteknik (mbjellje) gjatë nëntorit të mbetur, përderisa mbjelljet i mundësojnë kushtet klimatike”, thotë ai.

Mirëpo, profesori rekomandon që sipërfaqet e planifikuara për mbjelljen e grurit të kryhen, pavarësisht skadimit të afatit optimal agroteknik.

“Në rastin konkret fermerët duhet të jenë shumë të mobilizuar të përfundojnë punimet përgatitore dhe mbjelljet, me një preferencë për këtë vit që ta rrisin sasinë e inputeve bujqësore”, thotë Rusinovci.

Ai saktëson se në situata të tilla për siguri të uniformitetit të mbirjes, sasia e farës dhe plehut mineral duhet të shtohet për 10-15%. Po ashtu, këshillë dhe rekomandim i tij është edhe “përdorimi i farës cilësore, e cila i përmbush kriteret që parasheh ligji (aftësi mbirëse, energji të mbirjes, peshë absolute etj.,), konform statndardeve të ISTA-së)”.

Imer Rusinovci ka përkujtuar në fund se kostoja e prodhimit të grurit është shtuar dukshëm nga vitit 2020 (si pasojë e pandemisë) dhe gjatë viteve 2020-2022 ishte shumë e lartë.

“Jo vetëm pandemia, por edhe sfidat e radhës që e presin bujqësinë, janë të mëdha (konfliktet në botë, çrregullimet klimatike, kriza energjetike etj.), andaj duhet të jemi të vëmendshëm për bimët strategjike, siç është gruri. Këtë vit plehu mineral është diçka më lirë në krahasim me vitin 2022, por megjithatë sipërfaqet kultivuese me grurë nuk karakterizohen me efekte të larta pozitive financiare. Një gjë dihet që gruri është kulturë strategjike dhe duhet të mbështetet nga shteti përmes masave stimulative (siç po bëhet edhe tek ne me subvencione). Andaj, fermerët e grurit duhet të mbështetn nga shteti me masa konkrete stimulative, me këshillime në terren nga institucionet shkencore dhe profesionale dhe të njëjtit duhet të kenë qasje shumë serioze ndaj produkteve strategjike, sepse gruri në shumë vende të botës quhet jo rastësisht simbol i jetës”, ka thënë Imer Rusinovci.