Viktor Orban

BE-ja paralajmëron masa kundër ligjit të Hungarisë për “sovranitetin”

Komisioni Evropian ka njoftuar se po ndërmerr hapin e parë në veprimet ligjore kundër Hungarisë lidhur me një ligj të ri që, sipas saj, shkel parimin e demokracisë, duke rritur tensionet me Budapestin derisa kontinenti hyn në një sezon të vështirë zgjedhor.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka vite që është përplasur me Brukselin për normat demokratike. Në muajt e fundit marrëdhënia është përkeqësuar më tej mes shqetësimeve se një qeveri hungareze gjithnjë e më e izoluar po ndjek një politikë të jashtme miqësore ndaj Rusisë dhe po minon unitetin perëndimor.

Derisa Budapesti ka argumentuar se po kryen reforma në përputhje me kërkesat e BE-së, kritikët thonë se Orbani po lëviz për të konsoliduar më tej pushtetin e tij në vend.

Në dhjetor, parlamenti i Hungarisë miratoi një ligj që krijon një zyrë të re për mbrojtjen e sovranitetit me kompetenca të gjera për të hetuar hungarezët aktivë në jetën publike.

Zyra e re, e cila udhëhiqet nga një figurë me lidhje të ngushta me partinë në pushtet Fidesz, mund t’u kërkojë shërbimeve inteligjente të Hungarisë informacion mbi individë dhe organizata, të gjitha pa mbikëqyrje gjyqësore.

Në një deklaratë të mërkurën, Komisioni Evropian tha se kishte vendosur t’i dërgonte një letër njoftimi zyrtar Hungarisë për shkelje të ligjit të BE-së.

“Komisioni konsideron se legjislacioni hungarez në fjalë shkel disa dispozita të ligjit parësor dhe dytësor të BE-së”, ka thënë komisioni.

Masa vjen në një moment të tensionuar në marrëdhëniet komplekse të Brukselit me Budapestin, pasi një pjesë e financimit të BE-së për Hungarinë mbetet e ngrirë për shkak të shqetësimeve për sundimin e ligjit.