As pas tre muajve nuk vendoset për kryeprokurorin e shtetit

Ndonëse kanë kaluar më shumë se tre muaj prej kur Këshilli Prokurorial ka propozuar për kryeprokuror të Shtetit kandidatin Blerim Isufaj, presidentja Vjosa Osmani ende nuk ka vendosur për këtë propozim.

Monitorues të procesit të përzgjedhjes së kandidatit për kryeprokuror të Shtetit, thonë se më e rëndësishme se koha se kur do merret vendimi është dekretimi i një kandidati profesionist.

Tridhjetë është numri i kompetencave që ia garanton presidentit akti me i lartë juridik në vend- Kushtetuta e Kosovës. Njëra nga to është edhe emërimi dhe shkarkimi i kryeprokurorit të Shtetit, nga ana e shefit të shtetit, me propozimin e Këshillit Prokuroial të Kosovës. Ky institucion, në fillim të prillit ka propozuar emrin e Blerim Isufajt për pozitën e kryeprokurorit. E nga atëherë, presidentja Vjosa Osmani nuk ka vendos për këtë propozim. Radio Kosova ka pyetur Zyrën e Presidentes se kur pritet të vendosë për dekretimin ose jo të Isufaj, por, një përgjigje për këtë ka munguar, përkundër insistimit e pritjes disa ditore.

As në KPK si duket nuk e dinë se kur mund të ketë vendimmarrje për propozimin e tyre për emërimin e kryeprokurorit të Shtetit. Edhe nga KPK nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjen “A keni informacione se kur pritet të merret një vendim në lidhje me dekretimin ose jo të z. Isufaj?”.

Juristi Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tregon se në aspektin kushtetues nuk ka një afat të caktuar se kur presidentja duhet të vendosë për propozimin e KPK-së. Kalimin e kohës pa një vendimmarrje, Shala e ndërlidh me rrjedhën e procesit deri te propozimi i kandidatit.

“Ne ende nuk e dimë se çfarë ju ka dashtë presidentes të shqyrtojë në këtë rast. Përkundër faktit se vendimmarrja e saj nuk është e ndërlidhur me Gjykatën kushtetuese, aktualisht duket se po pret vendimet e kushtetueses. Dhe, duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi dhe gjetjet që kanë dalë nga procesi i përzgjedhjes së kandidatit, ende nuk mund të thuhet se presidentja e ka tejkaluar një afat të arsyeshëm”, tha ai.

Përkundër kalimit të kohës, Shala thotë se e rëndësishme për Kosovën është që të këtë një kryeprokuror fuqiplotë e me integritet.

“Në rastin konkret procesi ka qenë jashtëzakonisht i kontestueshëm. Organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë kanë gjetur defekte të mëdha në këtë proces. Për vërtetimin e tyre duhet të kujdeset presidentja, në mënyrë që mos ta kemi kryeprokurorin e ri të shtetit, të dalë nga një proces i kontestuar”, tha Shala.

Kandidati i propozuar për kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufaj, i kontaktuar nga Radio Kosova, nuk ka dashur të flasë në lidhje me rastin ku ai është personi kyç. Ndërkohë, dy kundër kandidatët e tij, Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti, kontestuan në Gjykatën Kushtetuese propozimin e KPK-së, për emërimin e Blerim Isufajt. Këto ankesa u shpallën të papranueshme meqë ankuesit i ishin drejtuar kësaj gjykate pa shtjerr të gjitha mjetet juridike, pra, jo ashtu siç e thotë ligji.