Këshilli i Prindërve: Dënojmë dhunën, prindërit të përmbahen
Këshilli i Prindërve e ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme dhe ka dalë me disa konkluzione për situatën në të cilën gjenden nxënësit dhe mësimdhënësit.
KP e ka lëshuar një deklaratë në Facebook, ku theksojnë se kundërshtojnë dhe dënojnë çdo formë të dhunës.
“Iu bëjmë thirrje prindërve të përmbahen për momentin nga tensionimi i situatës dhe çdo pakënaqësi ta shprehin pa krijuar tension mes palëve”, thuhet ndër tjerash në deklaratë.
Reagimi i plotë i Këshillit të Prindërve:
DEKLARATË
Kryesia e Këshillit të Prindërve e Kosovës është takuar sot në mbledhje të jashtëzakonshme dhe del me këto konkluzione:
- Dialogu social duhet të aktivizohet dhe të mirëmbahet si mjet për afrimin mes të gjitha palëve dhe për të tejkaluar krizën.
- Kundërshtojmë dhe dënojmë çdo formë të dhunës të kujtdoqoftë. Trekëndëshi mësimdhënës, nxënës e prindër duhet të mirëmbahet me kujdesin dhe respektin më të lartë.
- Arsimi në Kosovë është në pikën më të rëndë që nga paslufta dhe kërkon trajtim të veçantë prej qeverisjes dhe të gjitha palëve.
- Iu bëjmë thirrje prindërve të përmbahen për momentin nga tensionimi i situatës dhe çdo pakënaqësi ta shprehin pa krijuar tension mes palëve.
- Fëmijët kanë të drejtë kushtetuese për edukim dhe arsimim dhe prindërit janë palë e rëndësishme e procesit mësimor andaj dhe duhen dëgjuar e pranuar si palë kyçe.
- Nxënësit dhe prindërit duhet të organizohen për të mbrojtur të drejtën e tyre kushtetuese për kujdes, edukim e arsimim publik në çdo nivel.
- Institucionet shtetërore obligohen të mbrojnë të drejtën kushtetuese të fëmijëve me çdo mjet ligjor.
- I sugjerojmë Ministrisë së Arsimit të rishikojë kalendarin e vitit shkollor pasi po sjell huti dhe konfuzion tek prindërit e fëmijët.
- Kryesia e KP e Kosovës do të mblidhet fundjavën që vjen për të shqyrtuar situatën dhe për të dalë me propozime për t’u kthyer nxënësit në shkollë.