Hoxhaj për Bislimin: Ka talent për ta përjashtuar dhe jo për ta anëtarësuar Kosovën në organizata

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK’së Enver Hoxhaj ka folur në lidhje me cicërimën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në Twitter, e cila u demantua nga zëvendëssekretari i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.

Ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj, ka thënë se Bislimi mund të jetë i shkathët për ta përfaqësuar Kosovën për t’u përjashtuar nga ndonjë organizatë.

“Mendoj që zoti Bislimi nuk është dikush, i cili mund të përfaqësojë Kosovën për t’u anëtarësuar diku, më shumë mund të jetë dikush i shkathët për ta përfaqësuar Kosovën për t’u përjashtuar prej ndonjë organizate, nuk e ka këtë dhunti, nuk e njeh këtë fushë, nuk e njeh këtë temë”, u shpreh Hoxhaj.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës duhet të jetë prioritet dhe unë mendoj që politika e jashtme duhet të jetë prioritet. Të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, ata të cilët janë të kyçur në pjesëmarrjen në Strasburg, në javën e ardhshme shkon një delegacion i Kuvendit të Kosovës, duhet ta mbështesin Kosovën që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës”, shtoi Hoxhaj.

“Përtej tweetit, keqkuptimit që ndodhi, më e rëndësishme është që qeveria ta ketë një plan veprimi dhe të aplikojë në Këshill të Evropës. Anëtarësimi nuk mund të ndodhë brenda javësh, muajsh, anëtarësimi mund të ndodh për dy vjet, për tri vjet, sikurse janë anëtarësuar shtetet tjera që janë anëtare të Këshillit të Evropës”, tha Hoxhaj në Klan Kosova.

“Meqë Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës, mendoj që është situatë festë, por kjo nuk duhet të bëhet me zhurmë”, shtoi tutje ai.