Përparim Kryeziu

Kryeziu: Pavarësisht shkeljeve të Serbisë, masat janë vendosur vetëm për Kosovën

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se mungesa e progresit në dialogun Kosovë-Serbi, nuk është për shkak të të dyja palëve.

Në një postim në profilin e tij në rrjetin social “X”, Kryeziu ka renditur një listë me shkeljet për të cilat thotë se ka bërë Serbia vetëm dy javë pasi i tha po Marrëveshjes Themelore të shkurtit 2023.

Prej atëherë, Kryeziu ka deklaruar se 90 ushtarë të KFOR-it janë lënduar në veri të Kosovës nga grupet e dhunshme të udhëhequra nga liderët e Listës Serbe në maj të vitit 2023. Sipas tij, gazetarët dhe policët e Kosovës ishin në shënjestër gjithashtu. “Paradoksalisht, vetëm një muaj pasi Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Kosovës dhe jo Serbisë”.

“Në qershor të vitit 2023, tre policë kosovarë u rrëmbyen nga forcat speciale të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Pavarësisht provave të paraqitura nga institucionet tona të cilat dëshmojnë se Serbia ka shkelur integritetin tonë territorial, asnjë masë nga BE-ja nuk është ndërmarrë kundër Serbisë”, ka thënë ai.

Kryeziu ka përmendur edhe vrasjen e policit Afrim Bunjaku në sulmin e shtatorit  në Banjskë të Zveçanit.

Sipas tij, Milan Radoiçiq, lider i grupit të sulmit të shtatorit, i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili pranoi planin dhe pjesëmarrjen në sulm, është ende i lirë dhe tani takohet me ambasadorin e SHBA-së në Serbi.

“Këtë muaj, më shumë se një mijë qytetarë të Kosovës janë ndaluar arbitrarisht dhe keqtrajtuar nga autoritetet serbe në kufi, pa asnjë arsye. Në mesin e tyre ishin edhe 10 oficerë të Policisë së Kosovës, katër të komunitetit serb, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, një kosovar, i cili është shtetas i Britanisë, është duke u mbajtur dhe akuzuar padrejtësisht, por sërish nuk ka sanksione ndaj Serbisë”, ka shkruar ai.

Sipas tij, këto aksione erdhën një ditë pasi Asambleja Parlamentare votoi në favor të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke shtuar që ky anëtarësim kundërshtohet hapur dhe ashpër nga Serbia, pavarësisht që bie në kundërshtim me Marrëveshjen.

“Kjo dhe shumë të tjera dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për ‘faj të të dyja palëve’, por për balancimin jo të drejtë të të dyja palëve”, ka shkruar ai.