Ish-deputetja e Nismës që kaloi në AAK i bashkohet PDK-së
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokratike, Shukrije Bytyqi, ka aderuar në Partinë Demokratike të Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur Isni Kilaj, kandidati i PDK-së për kryetar të Malishevës.
Kilaj ka thënë se kuadrot e tilla janë mjaft të rëndësishme në rrugëtimin e tyre për zhvillimin e Malishevës.
“Ish-deputetja e Nismës, profesoresha Shukrije Bytyçi, në përkrahje të qeverisjes sime. Kuadrot e tilla janë mjaft të rëndësishme në rrugëtimin tonë për zhvillimin e Malishevës. Përvoja e saj si profesoreshë e deputete e fuqizon vizionin tonë. Është po ashtu një dëshmi shtesë se po i afrohemi çdo herë e më shumë fitores”, ka shkruar ai në Facebook.
Në janar të këtij viti, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Shukrije Bytyqi, i qe bashkuar AAK-së, e cila e kishte futur në listën e kandidatëve për deputetë.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor 2021.