Zëvendëskryeredaktorja e Kohës Ditore angazhohet në Zyrën e Kryeministrit

Zëvendëskryeredaktorja e gazetës Koha Ditore është angazhuar në një detyrë të re. Ajo është punësuar në Qeverinë e Kosovës.

Pas mbi dy dekadash pune në këtë gazetë, ajo tani ka marrë detyrën e drejtoreshës për komunikim në Zyrën e Kryeministrit, raporton Ballkani.info.

Për detyrën e re, ajo ka njoftuar në rrjetin social, Facebook.

Një muaj përpara se të votohej në Kuvend Qeveria e re e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, Valbona Mehmeti e la punën e saj 24-vjeçare në gazetën Koha Ditore.

“Gjatë rrugëtimit tonë gati 24 vjeçar u përballëm me shumë sfida profesionale e njerëzore. Luftuam së bashku për mbijetesë në një luftë të llahtarshme, por kremtuam edhe shumë suksese e momente gëzimi. Nuk e kam menduar ndonjëherë sesa do të zgjaste ecja ime e përbashkët me “Kohën”, sikundër nuk e mendon njeriu shkëputjen nga familja e vet. Por ja që erdhi edhe momenti i largimit”, shkroi ajo më 4 shkurt në Facebook.