Zhbllokimi i anijes do të tentohet duke e shfrytëzuar baticën

Kompania japoneze, në pronësi të së cilës është anija gjigante që është bllokuar në Kanalin e Suezit, tha se do të bëhet përpjekje që anija të zhbllokohet duke e shfrytëzuar baticën të shtunën.

Gjatë një konference për gazetarë në Japoni, drejtori i kompanisë “Shoei Kisen” tha për mediet lokale se nuk ka shenja që anijes i janë dëmtuar motorët apo instrumentet nga prekja e bregut, shkruan Al Jazeera.

“Anija nuk është duke marrë ujë. Posa të kthehet në lundrim, do të duhej të ishte e gatshme për operim”, tha Yukito Higaki, duke shtuar se po shpresohet që anija të zhbllokohet deri të shtunën në mbrëmje.

“Ne kërkojmë falje për bllokimin e trafikut dhe shkaktimin e problemeve të jashtëzkonshme e shqetësimeve për shumë njerëz, përfshirë palët e përfshira”, deklaroi ai më tej.

Sipas autoriteteve egjiptiane, anija u devijua nga era e fuqishme, e cila më pas solli edhe stuhi rërë, duke e kufizuar dukshmërinë.

Mbi 200 anije janë bllokuar në skajet e kanalit, duke shkaktuar vonesa në furnizim të shumë kompanive. Disa anije tashme e kanë nisur lundrimin për të shkuar në skajin jugor të Afrikës dhe më pas nëpër brigjet e Oqeanit Atlantik për të arritur në Evropë.