Presidenti i Azerbajxhanit bashkë me gruan viziton zonat e fituara në luftë, e ngre në shtizë flamurin azer dhe e puth atë

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, bashkë me gruan e tij i ka vizituar zonat e fituara nga luftimet me Armeninë. Ai i vizitoi distriktet Fuzuli dhe Jabrayil si dhe zonat rurale përreth tyre.

Zonja e parë e Azerbajxhanit, e cila, njësoj si bashkëshorti, ishte e veshur me uniformë ushtarake. Ajo publikoi disa fotografi të kësaj vizite në llogarinë e saj në Instagram, shkruan Anadolu.

Zonat që u vizituan nga presidenti, Fuzuli dhe Jabrayil, shtrihen jashtë territorit të Nagorno-Karabakut, më saktësisht në juglindje të tij, por ato ishin të kontrolluara nga armenët që nga vitet e nëntëdhjeta, ndonëse komuniteti ndërkombëtar këtë pjesë e njihte dhe e njeh si territor të Azerbajxhanit.

Luftimet mes dy republikave sovjetike shpërthyen më 27 shtator. Pas shumë përpjekjeve dhe thirrjeve të fuqive botërore, ato nënshkruan marrëveshje armëpushimi më 10 nëntor. Sipas marrëveshjes, Azerbajxhani do ta mbajë kontrollin në territoret e fituara gjatë luftimeve.