Takohen drejtori i IKSHPK-së dhe myftiu Tërnava, tregojnë se a mund të hapen xhamitë

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) e ka vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).

Myftiu Naim Tërnava tha se vetëm një i çmendur mund të mendoj se BIK-u nuk dëshiron t’i hapë xhamitë, ndërsa theksoi se një gjë e tillë nuk është e mundur aktualisht.

“Vetëm një i çmendur mund të mendoj se Bashkësia Islame nuk dëshiron t’i hapë xhamitë, mirëpo nuk janë krijuar kushte ende për hapjen e xhamive”, tha Tërnava.

Në fund të fjalës së tij, ai shtoi se “Mbi shëndetin e të gjithë neve nuk kemi asgjë”, teksa nuk dha ndonjë paralajmërim për hapjen e xhamive.

Në anën tjetër, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, e falenderoi BIK-un për ndërmarrjen e masave parandaluese qysh në fillim.

“Ne ia shpjeguam myftiut situatën epidemiologjike… BIK ka ndërmarrë ndër masat e para me të cilat kanë parandaluar përhapjen e virusit COVID-19.”, tha Ramadani.

Tutje, ai u shpreh se situata do të përmirësohet dhe do të piqen kushtet për hapjen e xhamive.

“Unë besoj se situata do të shkojë duke u stabilizuar dhe do të piqen kushtet për të shpallur mundësinë e faljes në institucionet fetare.. Ne i përmbahemi rregullave edhe të shteteve të mëdha si Arabia dhe Turqia”, tha Ramadani.

Për hapjen e xhamive, së fundi në Kosovë është nisur një peticion.