Klinë: Policia arreston dy të dyshuar për vjedhje, po e kërkon edhe një person

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën e vjedhjes së rëndë, derisa është në kërkim edhe të një personi tjetër të dyshuar për veprat e kryera në zonën e Klinës.

Kjo pasi që njësia e hetimeve të Stacionit Policor Klinë, ka pranuar një informate se ne rrugën “Mustafë Kruja” pn. në Prishtinë, gjendeshin tre personat e dyshuar të cilët kishin kryer vjedhje të rëndë në rr. “Leonard Palucaj” në Klinë, disa vjedhjeve tjera në qytetin e Klinës, me disa fshatra përreth. Gjësendet e vjedhura i kishin fshehur në shtëpinë ku ata ishin duke jetuar me qira përkohësisht, në adresën e lartcekur.

Dje, ndërkaq, është bërë e ditur se është kryer bastisja në shtëpinë ku jetonin të dyshuarit.

Gjatë bastisjes, hetuesit kanë takuar dhe arrestuar të dyshuarit Z.S., i lindur vitin 1981, shtetas sh/Kosovar, dhe Xh.M., lindur në vitin 1995 shtetas sh/Shqipërisë, ndërsa i dyshuari i tretë nuk kishte qenë në shtëpi, por hetuesit policorë e kanë të njohur identitetin e tij, është në kërkim për ta arrestuar.

Gjatë bastisjes si prova materiale janë gjetur dhe janë sekuestruar:

Një (1) motor sharrë e tipit Partner P351XT, made in USA, një (1) makine elektrike për qethje te tipit STAREX, made in Japan, një (1) kaçavidë, pesë (5) shishe te mbushura me alkool (3- cavalier, 1 fisher, 1 jegermaister), një (1) fotoaparat te tipit OLIMPUS, një (1) aparat dore Laser Stanley, një (1) matës i rrymës elektrike Cobra DT-832, tri (3) çanta te ndryshme, tri (3) palë atlete, tri (3) palë këpucë me qafë, një (1) pale patika (atlete) të bardha, dy (2) çanta krahu, dy (2) pale këpucë të ndryshme.

Të dyshuarit janë shoqëruar për në Stacionin Policor Kline për intervistim në prezencë të avokatit mbrojtës gjatë intervistës kanë pranuar se të tre së bashku kanë kryer veprën e vjedhjes rëndë.

Me urdhër të prokurorit, të njëjtit janë ndaluar për 48 orë.