Amir Rrahmani: I lumtur për fitoren dhe që e mbajtëm portën e paprekur
Amir Rrahmani është shprehur shumë i lumtur me fitoren 2-0 kundër Malit të Zi në “Fadil Vokrri” dhe që “Dardanët” e mbajtën portën e pa prekur.
“Dardanët” kanë dhuruar spektakël në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke e mposhtur 2-0 Malin e Zi.
Në fakt, mysafirët duhet të jenë të kënaqur me rezultatin pasi për 90 minuta në stadiumin “Fadil Vokrri”, me mijëra tifozë të pranishëm – Kosova krijoi raste të panumërta, por vetëm dy herë realizoi në portën e kundërshtarit.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 10-të. Kapiteni Amir Rrahmani shënoi gol të bukur me kokë.
Për 2-0 shënoi sulmuesi Vedat Muriq, në minutën e 35-të.
“Të them të drejtën u gëzova shumë për rezultatin dhe që nuk pësuam gol, sepse ka shumë ndeshje që kemi pësuar gol, Mirë që nuk pësuam gol”, tha Rrahmani.
Kosovës tashmë i kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të këtyre kualifikimeve, kundër Çekisë dhe Anglisë dhe ka 11 pikë, një më pak se Çekia.