Kosova i kërkon UNESCO-s të ndërpresë bashkëpunimin me kompaninë serbe që rrënoi Kalanë e Novobërdës
KTV-ja ka mësuar se Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i ka ndaluar punimet e kompanisë serbe “Koto” në Kalanë e Novobërdës.
Drejtori i këtij Instituti, Ismet Hajrullahu, ka thënë se prishja e mureve nga ekskavatorët e kësaj kompanie është e jashtëligjshme dhe vepër penale. Sipas tij, me këtë veprim është rrezikuar seriozisht qëndrueshmëria e kalasë.
Hajrullahu ka bërë të ditur se punimet e fundit kjo kompani i ka realizuar këtë të hënë.
Tutje, ka thënë se kanë kërkuar nga UNESCO, organizatë përmes së cilës është realizuar projekti për renovimin e kalasë, që të ndërpritet tërësisht bashkëpunimi me kompaninë në fjalë.