Presidenti i Filipineve thotë se ka qenë homoseksual, por u shërua me një “ilaç”

Presidenti i Filipineve, Duterte, ka lëshuar shumë deklarata të forta. Pak javë më parë, madje, tha se do t’i shpallte luftë Kanadasë për çështjen e disa plehrave të importuara të cilat Duterte donte t’ia kthente.

Veç kësaj, ai u drejtohet shpesh kundërshtarëve me terma që janë fyerje për homoseksualët. Më e fundit ishte një sulm kundër senatorit filipinas Antonio Trillanes. Sipas Dutertes, një homoseksual i kishte thënë që nga mënyra se si flet e si lëviz, Trillanes është pa dyshim homoseksual.

Pas kësaj deklarate, ai shtoi në një takim në Tokio se ka qenë homoseksual edhe vetë, dikur, por u shërua. Sipas Dutertes, “ilaçi” për shërimin kanë qenë gratë e bukura. Dhe pasi e tha këtë, u kërkoi pesë grave të publikut të çohen e ta puthin në faqe.


Ndërsa me Kanadanë, Duterte është aq i zemëruar sa është gati të shpallë luftë. Ai thotë se i ka mbaruar durimi. Ai i tha Kanadasë se Filipinet nuk janë një kosh plehrash.


Kryeministri kanadez tha se nuk e detyronte dot një kompani private t’i merrte plehrat mbrapsht. Megjithatë, ai tha që do të përpiqej. Këtë e tha në 2017.


“Ne do ta luftojmë Kanadanë. Do t’u shpallim luftë. Unë do t’i marr mbetjet, do t’i fus në një anije, dhe do t’ua dërgoj atje. Ta dijë Kanadaja që mbetjet janë duke u ardhur. Le të përgatisin një pritje madhështore. Le t’i hanë, po të duan”, deklaroi Duterte.


Importi i mbetjeve nga Kanadaja ka shkaktuar zemërim edhe nga populli dhe shoqata të ndryshme.