BE

2030| Integrimi është meritë, por duhet të ndodhë sa më shpejt

Më 28 gusht, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, u shpreh se Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë plotësisht të përgatitura për zgjerim deri në vitin 2030.

Sot, nga Tirana – ku u mbajt samiti i Procesit të Berlinit – në një takim të shënuar nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit u vendos sërish theksi te zgjerimi i mundshëm i unionit në një të ardhme jo të largët.

Ama këtë herë nuk kishte datë.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, foli qartë dhe pastër.

“Vendosja e një datë nuk do të jetë asnjëherë e pranueshme për vendet anëtare”.

Për von der Leyen metodologjia e përbashkët që është pranuar edhe nga Këshilli Evropian, është një proces me meritë.

Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, u shpreh i bindur se e gjitha është e bazuar në meritë, por ndryshe nga von der Leyen, ai pranoi se “është një gabim që Ballkani Perëndimor nuk është anëtarësuar”.

“Unë jam i bindur që është gabim që pasi u takuam në Selanik 20 vite më parë Ballkani Perëndimor nuk është anëtarësuar në Bashkimin Evropian”.

Për, Scholz integrimi duhet të vijë sa më parë – që ëndrra evropiane në rajon të mos shuhet.

Ndërsa von der Leyen zgjodhi të sjellë në tryezë planin e ri për Ballkanin Perëndimor, i cili ka katër shtylla dhe kërkon reforma nga vendet e rajonit.

Von der Leyen gjithashtu tërhoqi një paralele mes Tiranës dhe Varshavës para integrimit të kësaj të fundit.

“Kolegji Evropian u hap para se Polonia të bëhej vend anëtare e unionit, kam bindjen se kjo do të ndodhë edhe me Shqipërinë”.

Nga ana tjetër, me frymë pozitive, ka zgjedhur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ta shohë “kohën e procesit të integrimit”.

Për të – si nikoqir i një samiti që mbahej për herë të parë jashtë unionit – diçka fondamentale ka ndryshuar.

“Samiti ka sjellë rezultate të jashtëzakonshme. Edhe kjo konferencë dhe ato që po thuhen sot janë të reja dhe pozitive. BE është duke u hapur akoma më shumë ndaj vendeve anëtare në BE duke pranuar që të hedhë hapa ekstra”.

Sipas Ramës, BE është gati të bëjë hapa drejt anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Është shumë ndryshe tani. Jam shumë optimist rreth kësaj qasjeje. Ky Komision po i ndryshon gjërat që ishin të paimagjinueshme për ne para 2 vitesh”.

Michel dhe afati 2030
Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, jo vetëm që nuk është tërhequr nga deklaratat e tij për afatin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, i cili është viti 2030, por e ka përforcuar atë gjatë Samitit të Procesit të Berlinit, duke theksuar se të dy palët, duhet të jenë gati.

Ai e ka qartësuar se e kupton pse ka skepticizëm lidhur me procesin, duke parë pritjen e gjatë.

Ai madje me shaka solli në kujtesë edhe krahasimin që kryeministri shqiptar Edi Rama, ka bërë me Ballkanin e pasqyruar si “një nuse që pret dhëndrin në dasëm dhe ai nuk vjen kurrë”.

Por, sipas Michel, dasma po përgatitet tashmë nga BE-ja dhe brenda kësaj dekade, palët duhet të jenë gati për zgjerimin e unionit.

Kjo, pa harruar se anëtarësimet duhen bërë me meritë.

“Duhet nisur po ashtu një debat serioz për të ardhmen e BE-së dhe në Granada, në fakt, u ra dakord se duhet të bëhemi gati për zgjerimin e ardhshëm”, shtjelloi ai.

Teksa, në fund, shtoi se qëllimet e kristalta të rajonit për anëtarësim, janë treguar tashmë.

Por, ajo që duhet të tregohet tjetër, është fakti se Ballkani është gati të lërë pas konfliktet dhe të nisë punën për bashkëpunimin mes vetes, duke u bërë kështu gati për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Pas, nuk ka lënë as konfliktin në veriun e Kosovës, ku ka bërë thirrje që të ketë ulje në dialog dhe zgjidhje afatgjatë të problemit.

Plani i BE-së nga von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë fjalës së saj në nisje të samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë theksoi se “plani i BE-së për rritjen e Ballkanit Perëndimor synon të nxisë rritjen rajonale dhe konvergjencën mes nesh”.

“Ajo ka potencialin për të dyfishuar madhësinë e ekonomive të Ballkanit Perëndimor në dekadën e ardhshme. Ne kemi hedhur themele të forta me investimet ekonomike. Rezultate po tregohen. Ekonomitë e BP janë 35 % në mesataren e BE. Ne duhet të çlirojmë potencialin e Ballkanit Perëndimor. Sa herë kemi pasur zgjerim, vendet kanë pasur rritje ekonomike, por edhe vetë BE u zgjerua. Këto janë parime për planin e rritjes”.

Presidentja ravijëzoi se vendet duhet të përfundojnë të plotësojnë tregun e tyre rajonal.

“Është kusht që vendet e Ballkanit Perëndimor t’u ofrojnë kushte fqinjëve të tyre, për të ecur përpara. Është një stimul për të hapur dyert në aspektin ekonomik. Vetëm duke punuar së bashku mund ta bëjmë të mundur që BP mund të vijë në zemër të BE. Mesazhi është ky që këto janë komente vendimmarrëse, mos i lini mundësitë që të shpëtojnë”.

Ndër të tjera, Ursula von der Leyen theksoi se është hera e parë që samiti ndodh në rajon.

“Me fjalë të plota e shpjeguar që ne jemi dëshmitarë të një lufte të tmerrshëm që ka nisur Rusia kundër Ukrainës. Ne kemi parë edhe një sulm të tmerrshëm terrorist të Hamasit, që ka varrë më shumë se 1400 gra burra fëmijë bebe, vetëm për arsye se janë hebrenj. Po jetojmë në një planet që po digjet, të sfiduar nga AI, na duhen miqtë më të mirë. Të punojmë që ju të bëheni pjesë e një BE që ka treguar se është e mundur që mund ta arrijmë një paqe që të zgjasë”.

Të dielën pasdite, presidentja von der Leyen u takua me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministrin, Edi Rama, ku diskutoi mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Takimi është një mundësi për të diskutuar me liderët rajonalë mbi Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, aktualisht në përgatitje nga Komisioni, i cili synon të sjellë disa nga përfitimet e anëtarësimit në BE për njerëzit e Ballkanit Perëndimor.

Kjo përmes integrimit në tregun e vetëm, bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe përshpejtimin e reformave themelore dhe rritjen e mbështetjes financiare.

Plani do të plotësojë mbështetjen e dhënë tashmë në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investimeve të BE-së prej 30 miliardë eurosh të nisur në vitin 2020, i cili deri më tani ka mobilizuar 16 miliardë euro në investime për projekte kryesore.

Gjatë Samitit, liderët e Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë përparimin në tregun e përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve rajonale të lëvizshmërisë të nënshkruara vitin e kaluar në Berlin.

Samiti do të njohë gjithashtu reduktimin vullnetar të fundit të tarifave të roaming midis rajonit dhe BE-së, për të cilin mbështetja e Komisionit dhe Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal ishte thelbësore.

Së fundi, partnerët e Ballkanit Perëndimor do të miratojnë një sërë deklaratash të përbashkëta në lidhje me bashkëpunimin në fusha të tilla si klima dhe ndotja, tranzicioni digjital, lehtësimi i tregtisë dhe transportit, ambicia për t’u bashkuar me Zonën e vetme të pagesave në euro dhe synimin për të krijuar një vëzhgues konvergjence.

Gjithashtu të hënën von der Leyen do të marrë pjesë në inaugurimin e zyrës ndërlidhëse të Kolegjit të Evropës në Tiranë.

Scholz kërkon tejkalimin e konflikteve

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, në hapje të Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë, i cili për herë të parë zhvillohet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian (BE), ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së.

Derisa ka folur për momentumin e zgjerimit të BE-së, ai ka përmendur rrjedhën e tensionuar në raportet Kosovë-Serbi, posaçërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, derisa ka apeluar në tejkalimin e konflikteve rajonale që po e mbajnë peng Ballkanin Perëndimor.

“Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet të cilat kanë vijuar për shumë gjatë dhe në fakt ju kanë mbajtur dhe ju mbajnë në vendnumëro. Përshkallëzimet e kohëve të fundit në Veri të Kosovës kanë vërtetuar sa e rëndësishme është kjo. Ne duhet të përfundojmë zbatimin e marrëveshjeve të cilat janë arritur në dialogun për normalizim me ndërmjetësin e BE-së”.

Eskalimi në shkallë të gjerë i situatës në veriun e trazuar të Kosovës ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që po i mbanë të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë kësaj kohe, megjithëse BE-ja pret nga palët që të rikthehen në tryezën e negociatave nën kujdesin e lehtësuesve evropianë në Bruksel.

E në kryeqytetin shqiptar po qëndron edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili pritet të ketë takime bilaterale, përfshirë një takim me kancelarin gjerman, ku pritet të adresohet situata aktuale në pjesën veriore të Kosovës dhe vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve pas ngjarjeve vdekjeprurëse në fund të shtatorit.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje madhore, përveç liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimorë, pritet të jenë edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Verhelyi dhe shumë zyrtarë tjerë të BE-së e liderë të shteteve anëtare.