​Të dielën zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët tregojnë pritjet e tyre

Të dielën në Maqedoninë e Veriut mbahen zgjedhjet për president. Atje po mbizotëron një atmosferë e qetë, ndonëse pritet të jetë një garë jo e lehtë. Shqiptarët atje, vlerësojnë se mungesa e unifikimit të tyre përbën fatkeqësinë më të madhe për ta.
Në mars të këtij viti shqiptarët e Tuzit dhanë shembullin se të bashkuar mund të fitojnë, por e njëjta nuk po ndodh në Maqedoninë e Veriut. Blerim Reka, kandidati i parë shqiptar për president të këtij vendi, nuk po gëzon mbështetjen e të gjitha subjekteve politike shqiptare.Kështu, BDI-ja po mbështet kandidatin e LSDM-së, Stevo Pendarovskin. Kjo ka bërë që të lëkundet entuziazmi brenda elektoratit shqiptar në Maqedoni.Megjithëkëtë, kandidati i pavarur Blerim Reka tregohet optimist kur pyetet nëse do të ketë edhe votat e votuesve të BDI-së, ndonëse thekson se kjo parti është kundër unifikimit të votës shqiptare.

E qytetarët shqiptarë, të cilët përbëjnë rreth 30 përqind të popullsisë së Maqedonisë së Veriut, besojnë se Reka do të votohet në masë të konsiderueshme edhe nga maqedonasit. Por , vlerësojnë se nuk do të jetë një garë e lehtë.

Për Shqipe Ziberin, kandidatura e profesorit Blerim Reka për në krye të vendit është e vonuar.E, Semir Pajaziti nga Shkupi, thotë se atmosfera që po mbretëron në vendin e tij, lë për të dëshiruar.
Një qytetar tjetër, Qamuran Kërbliçi thotë se ai që ndjehet shqiptar duhet të votojë për Blerim Rekën president të Maqedonisë së Veriut.

Sipas tij, Reka nuk duhet të votohet vetëm pse është shqiptar, por edhe për shkak të bagazhit të tij intelektual.Edhe profesori universitar, Bashkim Selmani e konsideron të dëmshëm faktin që faktori shqiptar nuk ka një unitet të përbashkët jo vetëm për rolin e presidentit por edhe shumë faktorë të tjerë.

Sipas tij, në aspektin politik, mos-kandidimi i shqiptarëve të Maqedonisë me një kandidat të vetëm përbën fatkeqësi në vete.Sipas tij, ka një logjikë juridike që në të ardhmen Maqedonia e Veriut të ketë një president shqiptar, e ajo është që përzgjedhja e presidentit të bëhet përmes Kuvendit.

Të dielën, në Maqedoninë e Veriut mbahen zgjedhjet presidenciale, ndërsa nesër fillon heshtja zgjedhore.