Aleksandar Vuçiq

Vuçiqi falënderon presidentin kinez për mosnjohjen e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka shprehur mirënjohjen homologut kinez Xi Jinping për qëndrimet e Kinës karshi Kosovës.

Xi Jinping po qëndron në Serbi nga mbrëmja e djeshme. Do të jetë në Beograd edhe sot, para se të shkojë në Hungari, ku do ta përmbyllë ciklin e vizitave në Evropë. Para Serbisë, Xi Jinping vizitoi Francën.

Gjatë konferencës për media, Vuçiqi ka thënë se është mirënjohës ndaj presidentit Xi “për pozicionin e qartë karshi çështjes së Kosovës, që e konsideron si pjesë të Serbisë”.

“Por, citoj presidentin Xi – Republika e Serbisë do ta ketë mbështetjen e fortë të Republikës Popullore të Kinës për të gjitha çështjet që ngrihen në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne dhe për këtë e falënderoj pafund Republikën Popullore të Kinës”, ka thënë Vuçiq.

Ndër të tjera, Vuçiqi ka theksuar se do të përmirësojnë lidhjet me Kinën, “si partneri ekonomik më i madh”.

Vuçiqi dhe Xi Jinping kanë nënshkruar deklaratë të përbashkët, “që do të thotë se Serbia dhe Kina po kalojnë nga marrëdhëniet strategjike në bashkëpunimin më cilësor – një komunitet që flet për të ardhmen e përbashkët të dy vendeve tona”.