​Senatori Bob Dole: Do ta dua përherë popullin trim dhe të dashur të Kosovës

Senatori amerikan Bob Dole i ka dërguar një letër të gjatë krerëve institucionalë për 20 vjetorin e lirisë.

Në këtë letër, Dole shpreh besimin e tij se kohë më të mira janë përpara popullit të Kosovës.Ai shprehet jashtëzakonisht krenar me popullin e Kosovës dhe ndjehet i bekuar që ka qenë në gjendje të luaj rolin e tij, duke qëndruar pranë popullit të Kosovës.Kjo është letra e plotë e senatorit Bob Dole: Shkëlqesia e Tij, Hashim Thaçi, President i Kosovës,
Shkëlqesia e Tij, Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit të Kosovës,
Shkëlqesia e Tij, Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës

Shkëlqesia e Tij, Behgjet Pacolli, Ministër i Punëve të Jashtme të KosovësI nderuari President Thaçi,Mendimet e mia janë me ju në këtë përvjetor të 20-të të çlirimit nga përndjekja dhe lufta e sjellë nga regjimi shkatërrimtar i Sllobodan Millosheviqit në Serbi. Unë isha krenar të qëndroj më popullin e Kosovës përgjatë marshimit për liri, dhe përfundimisht, për pavarësinë, si demokracia më e re e Evropës. Populli i Shteteve të Bashkuara dhe popujt në mbarë botën kurrë nuk do ta harrojnë luftimet e guximshme të cilat Kosova i ka bërë gjatë kësaj lufte të gjatë.

Edhe për sa jemi duke e festuar fitoren, ne ndalemi pak dhe përkujtojmë sakrificat e aq shumë prej atyre të cilët humbën jetën ose mbetën me plagë të përhershme gjatë kësaj tronditjeje. E di se çka do të thotë të bartësh plagë të përhershme nga lufta. E kam ndjerë gjithmonë si nder mundësinë për ta bërë punën time, duke ditur se në kohën e testimeve më të rënda, kam bërë çdo gjë të mundur për ta mbrojtur popullin, lirinë dhe vlerat tona. Edhe në kohën më të zymtë tuajën, populli i Kosovës ka ditur ta ndërmarrë zotimin e njëjtë për vendin, familjet dhe vlerat. Për këtë arsye, do ta dua përherë popullin trim dhe të dashur të Kosovës. Është privilegj shumë i madh për mua që kam arritur t’u njoh si miq shumë nga ju gjatë këtyre viteve.

Shërbimi ndaj vendit nuk përfundon kur luftimet përfundojnë dhe kur fitohet liria. Dikush mund të thotë se mu atëherë fillon puna e vërtetë. Ta bësh demokracinë të funksionojë nuk është fare e lehtë. Secili person duhet ta luajë rolin e tij apo te saj – nga qytetarët produktivë dhe të kyçur e deri te burrat dhe gratë e zgjedhur për të udhëhequr, duke bartur detyrën për të krijuar një Kosovë më të fortë për të mirën e të gjithë popullit dhe gjeneratave që do të vijnë.

Pra, në këtë rast të madhërishëm, zemra ime është plot admirim për lirinë e fituar dhe gjithë atë që është arritur nga ajo kohë. Unë jam tani 95 vjeçar. Për dikë si unë, njëzet vjet nuk duken të jenë kohë e gjatë, por është arritur progres shumë i madh.

Kam pasur shumë takime në kohë sfiduese me mikun tim Presidentin Rugova dhe me liderë tjerë kombëtarë. Do t’u them diçka në të cilën kam besuar thellësisht: kohë më të mira janë përpara popullit të Kosovës. Kam vështruar me vëmendje përderisa ju keni punuar shumë për ta bërë këtë besim timin realitet. Jam jashtëzakonisht krenar me popullin e Kosovës dhe ndihem i bekuar që isha në gjendje të luaj rolin tim, duke qëndruar pranë jush në këtë udhëtim. Zoti ju bekoftë dhe Zoti e bekoftë popullin e Kosovës.Sinqerisht,
Bob Dole