​Kurti: Kemi prioritet sigurimin e dozave të reja të vaksinave kundërCOVID-19

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti priti sot në një takim shefin e Zyrës belge në Prishtinë, Jean-Louis Servais me të cilin ka biseduar për mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe masat e reja antiCOVID-19.

Kurti tha se prioritetet e tij dhe qeverisë së tij janë drejtësia dhe punësimi, por në ballafaqim me pandeminë prioritet mbi prioritete është sigurimi sa më parë i dozave të reja të vaksinave kundërCOVID-19.

Ndërsa, diplomati belg tha se vendi i tij gjithmonë ka besuar në Kosovën dhe popullin e saj, duke e vlerësuar si vend me përparësi të mëdha, veçanërisht për shkak të moshës së re mesatare të popullatës.

Ai po ashtu tha se Belgjika e mbështet Republikën e Kosovës në synimet e saj për integrim evropian duke përfshirë këtu edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

Në takim u bisedua edhe për mundësitë dhe format e shtimit të investimeve ekonomike dhe shkëmbimit tregtar midis dy vendeve, me theks të posaçëm te mërgata.