​KQZ: Rrezikohet mbajtja e zgjedhjeve në Podujevë, nuk është miratuar buxheti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se nuk është miratuar buxheti për mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Podujevë dhe se mosaprovimi i këtij buxheti rrezikon mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Këtë e bëri të ditur kryeshefi ekzekutiv i SKQZ-së, Yll Buleshkaj, gjatë mbledhjes së KQZ-së. Ndërkohë u tha se kjo e fundit ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës 491 mijë euro për të dy raundet për këto zgjedhje, por që sot u bë e ditur se Qeveria nuk e ka miratuar këtë buxhet.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka thënë se mosndarja e buxhetit me kohë rrezikon mbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë, ndërsa ka theksuar se nga ana e KQZ-së kanë qenë të gjitha procedurat në rregull.

Daka theksoi se në rast dështimi të këtyre zgjedhjeve, KQZ nuk mban përgjithësi

“Ne jemi 25 ditë larg nga dita e zgjedhjeve dhe asnjëherë nuk na ka ndodhë që mos me pas buxhet 25 ditë para ditës së zgjedhjeve, siç e dini tradicionalisht fletëvotimet asnjëherë nuk janë shtypur në Kosovës por janë shtypur jashtë Kosovës për shkak se specifikat e tyre nuk mund t’i përmbush asnjë kompani në Kosovës, por gjithsesi janë procedurat e prokurimit të cilat kërkojnë afate ligjore, të cilat ne nuk mundë t’i tejkalojmë, por tash nga dita e sotme ne si KQZ nuk mund ta bartim përgjithësinë për çfarëdo lloj dështimi të afateve, ashtu siç u tha mund të na ndodhë që ditën e zgjedhjeve të mos i kemi fletëvotimet, dhe është mirë që publikisht të dihet se na kërkesën e kemi bërë me kohë nëse ka pas vërejtje, komunikimi ekziston, mund të kthehet kërkesa dhe të korrigjohet dhe të na tregohet se ku janë ato vërejtje”, u shpreh Daka.

Edhe anëtar i LDK-së, Sami Hamiti tha me këtë trend është i garantuar dështimi i zgjedhjeve në Podujevë.

Sipas Hamitit, të gjitha afatet ligjore po tejkalohen dhe se sipas tij, nuk mund të ketë zgjedhje të rregullta në Podujevë.

“Definitivisht me këtë trend zgjedhje nuk ka në Podujevë, ose munden me u bërë zgjedhje me i kalu krejt ligjet, me u fotokopju fletëvotimet në fotokopje por zgjedhje të rregullta në Podujevë sipas ligjit nuk mund të ketë, nëse tejkalohet po themi tash e enjta, çdo afat është tejkaluar nuk mund të procedosh as me procedura të tenderimit as për fletëvotime as për formular, është vonë ose të merren vesh me Presidentin ta shtymë datën e zgjedhjeve”, tha Hamiti.

Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së, nga radhët e PDK-së, tha se mosndarja e buxhetit do të rrezi kojë zgjedhjet në Podujevë.

Sipas tij, këtë përgjigje është dashur që KQZ t’i ketë ditur më herët dhe jo në këto afate të vonshme.

“Si institucion është dashtur të kemi një përgjigje nga institucioni tjetër relevant lidhur me këtë çështje me qëllim që edhe ne të vazhdojmë me procedurat e mëtejme, lidhur me mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor, duhet të kuptohet relevanca e këtij buxheti dhe impakti që ka për të vazhduar mëtutje ne. Ky buxhet i rrezikon këto zgjedhje dhe mos aprovimi i këtij buxheti nuk e di ku mundet me mbet përgjithësia mbi mbarëvajtjen e këtij procesi zgjedhor“, u shpreh Elshani.

Ndryshe në këtë mbledhje përveç buxhetit u diskutua edhe për shtypjen e fletëvotimeve e formularëve, doracakun për procedurat e votimit dhe numërimit.