​GAP publikon të dhënat për realizimin e premtimeve gjatë fushatës zgjedhore 2017

Instituti GAP ka publikuar në platformën elektronike “Letërnjoftimi i Komunave” të dhënat më të fundit për realizimin e premtimeve të dhëna gjatë fushatë zgjedhore 2017.

Periudha e monitorimit përfshin 6-mujorin e parë 2020 dhe nga gjithsej 903 premtime të evidentuara nga Instituti GAP, deri në qershor 2020 janë përmbushur 364 premtime, 185 janë realizuar pjesërisht, 206 kanë filluar të përmbushen dhe për 148 premtime nuk është evidentuar ndonjë nismë në përmbushjen e tyre.

Numri më i madh i premtimeve është realizuar në fushën e çështjeve sociale (74%), fushën e bujqësisë (57%) dhe atë të administratës (53%), ndërsa shkalla më e ulët e përmbushjes së premtimeve është shënuar në fushën e kulturës (28%) dhe atë të urbanizimit (22%), njoftohen GAP përmes një komunikate.

Në pjesën më të madhe të periudhës së gjashtëmujorit të parë të 2020 komunat janë përballur me gjendje të rënduar si pasojë e COVID-19. Përkundër kësaj, rezultatet e dala nga vlerësimi i përmbushjes së premtimeve, tregojnë për një performancë të mirë të pushtetit lokal në përmbushjen e planeve dhe projekteve të parapara.

GAP ka bërë monitorimin e përmbushjes së premtimeve në 26 nga 38 komunat, ngase 12 nga kryetarët aktualë nuk kanë zhvilluar fushatë zgjedhore (Skenderaj, Mamushë dhe komunat me shumicë serbe).