​Duka kërkon nga kryeministri Rama numër simbolik të tifozëve në stadium

Presidenti i Federatës së Futbollit të Shqipërisë Armand Duka ka kërkuar nga kryeministri Edi Rama, që në ndeshjen kundër Anglisë të lejohet një numër i reduktuar i tifozëve në stadium, siç e lejon edhe UEFA.

Duka iu drejtua kryeministrit të Shqipërisë, pasi shumë kërkesa për lejimin e një numri simbolik të tifozëve në stadium drejt Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit Teknik të Ekspertëve ishin refuzuar, përcjell KosovaPress.

Në fjalët drejtuar kryeministrit, Duka tregoi disa arsye se pse duhet të lejohen tifozët në stadium, ku përmendi bizneset e shumta të cilat në grupe masive me njerëz vazhdojnë aktivitetet e tyre.

“Duke parë që në vendin tonë shumë biznese me grumbullime masive njerëzish vazhdojnë aktivitetin normalisht, do të shpresoja shumë që ju të ndihmonit ekipin Kombëtar shqiptar dhe tifozët tanë të zjarrtë për të qenë të pranishëm në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Botërorit “Katar 2022”. Ne kemi një stadium modern, me standardet më të larta botërore, që na lejon të kemi në minimum 30 për qind të tifozëve në stadium, duke mundësuar shmangien e çdo rreziku nga virusi COVID-19”, tha Duka në një postim në rrjetin social Facebook.

Duka po ashtu propozoi që në stadium të lejohen personat që janë të vaksinuar kundër COVID-19.

“Nëse kjo prani e limituar tifozësh shikohet ende si një problem nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve, atëherë do ju propozoja që të lejohen në stadium të gjithë personat që janë vaksinuar dhe kanë përfituar nga procesi i vaksinimit masiv që ju si Qeveri po zhvilloni në mbarë trojet shqiptare”, shtoi presidenti i FSHF-së.

Ndeshjen e parë Kombëtarja e Shqipërisë do ta zhvillojë kundër Andorrës si mysafirë me datën 25 mars, ndërsa tri ditë më vonë, më 28 mars do të zhvillojë ndeshjen historike kundër Anglisë si vendas, në kuadër të kualifikimeve të botërorit “Katar 2022”.