​Cakaj: Njohja e Kosovës nga Izraeli, një hap madhor

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, sot ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Izraelit në Tiranë, Noah Gal Gendler, me të cilin ka biseduar për rëndësinë e jashtëzakonshme të njohjes së Republikës së Kosovës nga ana e Izraelit.

Cakaj në një postim në Facebook, njohjen nga Izraeli ka quajtur hap madhor dhe i cili hap horizonte të reja mes Kosovës dhe Izraelit.

Postimi i plotë:

Sot pata kënaqësinë ta takoj edhe Ambasadorin e Izraelit në Shqipëri, z. Noah Gal Gendler! Biseduam për rëndësinë e jashtëzakonshme të njohjes së Republikës së Kosovës nga ana e Izraelit.

Ky hap madhor nuk i bën drejtësi vetëm historisë, por edhe hap horizonte të reja për zhvillimin e shumë projekteve dobiprurëse mes Republikës së Kosovës dhe Izraelit.

Pas njohjes formale, pritet të përmbyllen procedurat e nevojshme për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Patjetër, folëm edhe për shtyrjen përpara të disa projekteve të rëndësishme ekonomike e jo vetëm mes Shqipërisë e Izraelit.