​Albright: E kemi bërë gjënë e duhur për Kosovën

Ish-sekretarja e shtetit amerikan, Madelenie Albright, në ceremoninë e organizuar nga presidenca, iu drejtua qytetarëve me një fjalë rasti.

Ish-sekretarja tha se ndihet krenare me atë që është bërë para dy dekadave. Ajo tha se Kosova ka zhvilluar bazat e demokracisë, ka media të pavarura, sistem gjyqësor, qeveri etj.

Albright u shpreh e lumtur për çlirimin e Kosovës, duke tha se kauza e shqiptarëve ishte e drejtë. “Jam e krenare me atë që kemi bërë së bashku. Lufta në Kosovë ka qenë një përballje e vrasjeve barbare ndaj popullsisë, më e rëndësishmja është se ia dolëm – kauza jonë ishte e drejtë”, tha Albright.

Ajo ka rrëfyer për momentin kur i kishte thënë presidentit Clinton, se për Kosovën duhet të bëhej gjëja e duhur. Shtoi se gjatë luftës kishte folur me një nënë kosovare që ia kishin vrarë djalin përderisa po iknin nga Kosova. “Unë fola me nënën e tij më tha se qysh djaloshi i kishte vdekur duke ikur nga Kosova. Gjyshja e tij po qëndronte në Prishtinë”, tha ajo. Albright tha se koha kishte ardhur për të lëvizur përpara. Ndërsa, u shpreh se tashmë kosovarët i kanë treguar botës se janë të zotë.