​Inter fiton ndaj Veronas dhe merr kreun e Serie A

Interi ka shënuar fitore edhe në javën e 14-të në Serie A duke triumfuar si mysafir i Hellas Veronas me rezultat 1-2 të Mërkurën mbrëma.

Skuadra e Antonio Contes kaloi në epërsi në minutën e 52’ me golin e argjentinasit Lautaro Martinez i cili pranoi një top nga Achraf Hakimi.

Verona barazoi shifrat me anë të golit të realizuar nga Ilic në minutën e 63’ pas një mosmarrëveshje ndërmjet Samir Handanovic dhe Milan Skriniar.

Ky i fundit, Skriniar, e riktheu epërsinë e Interit pas një goli të bukur të realizuar me kokë në minutën e 69’ të ndeshjes.

Me këtë fitore, Interi merr kreun e tabelës në Serie-A me 33 pikë, i ndjekur nga Milani me 31 pikë, por që “Rossonerët” sonte me fillim nga ora 20:45 do të luajnë në “San Siro” kundër Lazios.