Vrasja para gjimnazit “Sami Frashëri”, palët sërish kërkojnë nga Apeli ndryshimin e aktgjykimit të Themelores

Pak muaj pa u bërë katër vjet, pasi e kishte kthyer lëndën në rigjykim, Gjykata e Apelit do të duhet sërish të vendos në lidhje me ankesat e palëve, në rastin e të akuzuarit për vrasje të rëndë, Alban Kadrolli.

Kjo pasi që kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, ankesë në Apel kanë ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë, pala e dëmtuar si dhe mbrojtja e të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përderisa, prokuroria dhe pala e dëmtuar po kërkojnë që ndaj Kadrollit të shqiptohet një dënim më i ashpër, mbrojtja e të akuzuarit i ka propozuar Apelit zbutjen e dënimit të shqiptuar nga shkalla e parë.

Këto ankesa të palëve, si dhe deklarimi i Prokurorisë së Apelit lidhur me to, janë shqyrtuar të martën nga një kolegj i Gjykatës së Apelit, i kryesuar nga gjykatësja Tonka Berishaj.

Rasti ka të bëjë me vrasjen që kishte ndodhur më 14 prill 2011, përpara gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, ku kishte mbetur i vdekur, i mituri M.C.

Tetë vjet më vonë, më 18 prill 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor për këtë vrasje, Alban Kadrollin dhe të njëjtin e kishte gjykuar me 13 vjet burgim. Në këtë dënim, Kadrollit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 4 maji 2011.

Por, si shumë të butë po e cilësojnë këtë dënim ndaj Kadrollit, prokuroria si dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Nikë Shala.

Sipas tyre, gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar në mënyrë analitike rrethanat rënduese ndaj të akuzuarit, sikurse rrezikshmërinë shoqërore dhe vuajtjet dhe shqetësimet e shkaktuara ndaj familjes dhe personave që kishin qenë në vend ngjarje.

Për këtë arsye, prokuroria dhe pala e dëmtuar i kanë propozuar Apelit që pas vlerësimit edhe të këtyre rrethanave, ndaj të akuzuarit Kadrolli të shqipton një dënim më të ashpër.

“Dënim më të madh mi dhan, se e ka vra djalin pa arsye”, tha shkurt në fjalën e saj, e dëmtuara Vahide Caka.

Për mos vlerësim të duhur të rrethanave, mirëpo në këtë rast të atyre lehtësuese, është ankuar në Apel edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ahmet Gjinovci.

Sipas këtij të fundit, gjykata ka shqiptuar dënim shumë të ashpër pasi nuk ka vlerësuar drejt rrethanat mbi matjen e dënimit, duke mos vlerësuar sipas Gjinovcit, moshën e re të akuzuarit, faktin se në kryerjen e veprës penale kishte kontribuar edhe i ndjeri si dhe kohëzgjatjen mbi tetë vjet që nga kryerja e kësaj vepre penale.

“Mbes prapa ankesës, e kundërshtoj edhe ankesën e përfaqësuesit të palës së dëmtuar edhe pse të njëjtën se kam marr, por nuk ka ndonjë arsye për rritje të dënimit. Kemi rrethana të reja në këtë rast, ka pranuar fajësinë, është penduar, gjykata më rastin e shpalljes së aktgjykimit nuk ka gjet asnjë rrethanë rënduese por ka cek vetëm dy rrethana lehtësuese. Unë kam numëruar edhe pendimin edhe kërkim faljen. Nuk është marr për bazë as kontributi i palës së dëmtuar”, deklaroi avokati Gjinovci.

Duke u thirrur në të gjitha këto rrethana, Gjinovci kërkoi që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet një dënim më i butë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë me 12 qershor 2015, kishte marrë aktgjykim me të cilin Alban Kadrollit, i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 13 vitesh, të akuzuarit Muhamet Lahu, i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 vitesh, ndërsa ndaj të akuzuarit Milot Caka, ishte refuzuar aktakuza.

Gjykata e Apelit, më 11 dhjetor 2015, kishte vendosur që aktgjykimin ndaj Muhamet Lahut ta vërtetojë, por e kishte dënuar me një dënim më të ulët, duke e gjykuar të njëjtin me katër vite e tetë muaj burgim.

Për shkak të shkeljeve ligjore, procesin ndaj Alban Kadrollit, Apeli e kishte kthyer në rigjykim, ndërsa e kishte vërtetuar edhe aktgjykimin ndaj Milot Cakës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Alban Kadrolli në bashkëkryerje me T.K, me 24 prill 2011, përpara shkallëve të shkollës “Sami Frashëri”, në Prishtinë, me dashje e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin, M.C, duke rrezikuar jetën e një numri të madh të nxënësve.

Sipas aktakuzës, kjo kishte ndodhur për shkak se në korridorin e kësaj shkolle, të akuzuarit Alban Kadrolli dhe Muhamet Lahu ishin rrahur në mes vete, derisa i akuzuari Muhamet Lahu, i kishte ftuar dy djem të dajës së tij, tani të ndjerin M.C dhe të akuzuarin Milot Caka.

Të dy palët, sipas aktakuzës, kishin filluar të rrihen në mes veti, duke u goditur me grushte dhe shqelma si dhe me mjete të forta dhe në atë rast, i akuzuari T.K nxjerrë pistoletën nga brezi dhe ka shtënë në drejtim të tani të ndjerit, M.C dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, pasi që i akuzuari T.K, e hedh pistoletën në tokë, i akuzuari Muhamet Lahu e merr pistoletën dhe fillon ta ndjekë të akuzuarin Alban Kadrolli, ku pas disa metrash fillon të shtënë drejt trupit tij, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, dhe me këtë i akuzuari Muhamet Lahu ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i akuzuari Milot Caka, merr pjesë në rrahjen e qëllimshme të shkaktuar midis dy palëve, ku në atë rast ishte në anën e të ndjerit M.C dhe me këtë ka kryer veprën penale “pjesëmarrje në rrahje”.