Deputeti gjerman

Vjedhja e zgjedhjeve në Serbi, deputeti gjerman kërkon “ngrirjen” e negociatave të Serbisë për anëtarësim në BE

Deputeti i Bundestagut gjerman, Josip Juratoviq, ka shprehur shqetësimet e tij gjatë një interviste për mediumin malazez “Pobjeda” lidhur me parregullsitë në zgjedhjet e fundit në Serbi dhe ka thirrur për një rishikim të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian. Ai ka reaguar ndaj sjelljes autokratike të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se nuk mund të tolerohet më kjo qasje.

Juratoviq ka theksuar se në politikën e jashtme nuk është gjithmonë e lehtë të zgjidhet partneri për negociata, por në rastin konkret të Serbisë, ai ka theksuar se parimet themelore të sistemit të vlerave demokratike duhet të respektohen përpara se të vazhdohet me bisedimet për anëtarësim në BE.

“Në politikën tonë të jashtme, ne nuk mund të zgjedhim gjithmonë partnerët me të cilët do të negociojmë. Por në këtë situatë, në të cilën drejtuesi i fushatës shpërfill parregullsitë në zgjedhje dhe në këtë mënyrë shkel hapur rregullat demokratike të lojës, ne nuk mund ta tolerojmë më dhe nuk jam i vetëm në mendimin se negociatat e mëtejshme të para-anëtarësimit ndërmjet Serbisë dhe BE-së duhet “të vihen në akull” derisa të fillojnë të espektojnë parimet bazë të sistemit të vlerave demokratike”ka thënë ai.

Ai më tej tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të kushtëzojë ata që duan të bashkëpunojnë që të respektojnë rregullat demokratike të lojës nëse duan të jenë partnerë tanë.

“Fatkeqësisht, bashkësia ndërkombëtare nuk mund të krijojë drejtpërdrejt politikën e Serbisë në botën demokratike të cilës ne i përkasim dhe të cilës gjoja synon Serbia, vetëm njerëzit mund ta bëjnë këtë përmes proceseve demokratike, duke përfshirë një garë të ndershme zgjedhore. Ajo që mund të ndikojmë është që ata që duan të bashkëpunojnë me ne duhet të respektojnë rregullat demokratike të lojës nëse duan të jenë partnerët tanë. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë në të ardhmen. Këto zgjedhje janë kashta e fundit për tolerancën tonë ndaj qasjes autokratike gjithnjë e më të fortë të Aleksandar Vuçiqit dhe ndjekësve të tij.” – tha ai.