Euro 2024

Vazhdon maratona e “Euro 2024” – tri ndeshje do të luhen sipas orarit

Sot (e diel) janë në orar për t’u zhvilluar tri ndeshje në kuadër të fazës së grupeve për Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”.

Euro 2024 nisi ditën e premte me nikoqiren Gjermaninë që e “shkatërroi” Skocinë me rezultat 5-1.

E veçanta e këtij Kampionati Evropian deri më tani është numri i madh i golave të shënuar, pasi në çdo sfidë janë realizuar të paktën tre gola.

Ndeshja hapëse e ditës së sotme do të jetë ajo mes Polonisë dhe Holandës në kuadër të grupit D, e cila do të nis me fillim nga ora 15:00 dhe do të mbahet në “Volkparkstadion” të Hamburgut.

Me fillim nga ora 18:00 do të ketë një tjetër duel, ku përballë njëra-tjetrës do të vihen Sllovenia dhe Danimarka.

Ndeshja mes këtyre dy ekipeve kombëtare do të luhet në stadiumin “MHP Arena” të Stuttgartit.

Dhe njëra ndër kombëtaret favorite për të fituar Kampionatin Evropian, Anglia, nis sot rrugëtimin e saj në kërkim të trofeut.

“Tre Luanët” do të luajnë përballë Serbisë në kuadër të grupit C me fillim nga ora 21:00, ndërsa ndeshja do të zhvillohet në “Veltins Arena” të Gelsenkirchen. /Telegrafi/