Zgjedhjet në veri

Udhëzimi administrativ nuk do të funksionojë, kryetarët e veriut të japin dorëheqje me marrëveshje

Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni nuk po konsiderohet si rrugë e duhur për largimin e katër kryetarëve të komunave të veriut. Përveç komplikimeve politike që mund të sjell, dokumenti në fjalë po konsiderohet edhe si antikushtetuese.

Njohësit e proceseve kushtetuese kanë bërë me dije se udhëzimi i publikuar nga MAPL-ja nuk do të funksionojë. Ata kanë bërë me dije se zgjidhja më e mirë për zgjedhjet e reja në veri është marrëveshje politike e Qeverisë me kryetarët aktual. Këta të fundit, sipas tyre, duhet të japin dorëheqje.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se komplikimet atje po shkaktohen nga mungesa e vullnetit politik të Qeverisë.

“Kjo është çështje e mungesës së vullnetit politik nga ana e pushtetit. Nëse pushteti do të donte ta rregullonte këtë punë, kjo çështje do të harrohej. Do të mund të ulej me opozitën dhe t’i thoshte se ne bëmë zgjidhje, i mbajtëm zgjedhjet siç na tha Kushtetua e ligji, dhe siç na përkrahen miqtë tanë ndërkombëtarë. Miqtë tanë nuk e konsiderojnë, sipas standardeve të shteteve të tyre, këtë rezultat, dhe ne për pasojë jemi të delegjitimuar”, ka thënë Hasani në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Në këtë mënyrë, sipas tij, Kosova po e dëmton vetveten.

“Unë mendoj që Kosova nuk po i bën nder vetes. Mund t’iu thuhet [kryetarëve], ose mos shkoni një muaj në punë, ose jepni dorëheqje. Shumë më dinjitoze është të jepet dorëheqje dhe të mos shkohet në punë, sesa të largohen me nënshkrim. Sepse, në atë mënyrë, pushteti vetëm po u kundërvihet tezave të veta qe pesë-gjashtë muaj, që ata janë legjitimë. Ata nuk janë legjitimë aty. Ata janë legalë, sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, por legjitimiteti aty është zero”, është shprehur Hasani.

Edhe ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka vlerësuar se çështja e kryetarëve në veri mund të zgjidhet vetëm me marrëveshje politike.

“Veten marrëveshja. Marrëveshja politike dhe marrëveshja që kryetarët aktual, të cilët janë jofunksional dhe nuk e ushtrojnë funksionin e tyre si kryetar, të dorëhiqen në marrëveshje me qeverinë”, ka thënë ajo në emisionin “Rubikon”.

Ajo ka bërë me dije se çështje ligjore nuk funksionojnë në veri.

“Është çështje e marrëveshjes politike. Të gjitha këto zgjidhen vetëm me marrëveshje. Çështjet ligjore për momentin nuk funksionojnë. Ky udhëzim administrativ nuk ka me funksionu. Nuk ka mënyra tjera. E vetmja mënyrë është dorëheqja e tyre dhe marrëveshja politike, të cilën mund ta arrij vetëm Qeveria dhe askush tjetër”, ka thënë Daka.

Udhëzimi kundërkushtetues

Udhëzimi administrativ i publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal po konsiderohet si anti-kushtetues.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetueses, Enver Hasani, ka treguar arsyet pse udhëzimi nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Jo, sepse caktimi i të drejtave dhe detyrimeve, dhe mënyra e realizimit të tyre, duhet fillimisht të përcaktohet me ligj. Kushtetuta kërkon ligj. Këtu bëhet fjalë për demokracinë e drejtpërdrejtë, që është kategori kushtetuese, dhe mënyrat e realizimit të saj përcaktohen me ligj, zakonisht quhet Ligj për iniciativën qytetare, Ligj për referendum, ose Ligj për referendum dhe iniciativë qytetare. Kushtetuta tregon se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë subjekt i referendumit. Pastaj, ligjvënësi është i lirë që t’i përcaktojë këto dy çështje. Por, këto dy çështje nuk i ka rregulluar Kuvendi i Kosovës, dhe për pasojë ky udhëzim e ka uzurpuar një autorizim ligjor të Kuvendit, dhe e ka normuar një çështje që është dashur të normohet me Ligjin për iniciativën qytetare”, ka thënë Hasani.

Profesori i së drejtës kushtetuese ka paralajmëruar se ky udhëzim mund të rrezohet nga Gjykata Kushtetuese, nëse dërgohet për shqyrtim.

“Jam shumë i sigurt se nëse përfundon në Gjykatë Kushtetuese, ky ligj rrëzohet për arsyet që i thashë, por edhe për arsyen tjetër, që udhëzimin administrativ me përmbajtje të thellë të normave ligjore e ka nxjerrë organi administrativ, që është dikasteri ministror. Ky është konflikt i hapur i interesit, sepse këtu nuk bëhet fjalë për specifikimin e procedurave të realizimit të një të drejte, por caktohen të drejta shtesë prej autorizimit të zëvendëskryesuesit, pastaj mandatimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për organizim të zgjedhjeve, gjë që mund ta bëjë vetëm ligji, jo udhëzimi administrativ”, ka thënë Hasani.

Edhe ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se udhëzimi administrativ nuk është i qartë sa duhet.

Ai ka thënë se në 10 pika e tij askund nuk tregon se kush duhet ta shall votimin për shkarkimin e kryetarëve. Sipas saj, nëse presidentja e bën një gjë të tillë, ajo do të shkelte Kushtetutën.

“Ajo (presidentja Osmani) kish me shkelë Kushtetutën nëse do të shpallte votim. Në qoftë se Presidentja shpallë votim për largim të kryetarëve, ajo do ta shkelte Kushtetutën e Kosovës. Askund në Kushtetutë nuk shkruan se ajo shpallë zgjedhje për largimin e kryetarëve. Ku shkruan? Në kompetencat e saj, nuk shkruan askund”, ka thënë Daka.

Ditë më parë, Ministrit i Administrimit të Pushtetit Lokal ka publikuar Udhëzimit Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e Kryetarit të Komunës nga funksioni.

Udhëzimi ka për qëllim përcaktimin e procedurës së inicimit, organizimit dhe dorëzimit të iniciativës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, në pajtim me Ligjin Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale.