Prokuroria Themelore

Themelorja nuk konfirmon nëse rasti i vrasjes së Liridona Ademajt i ka kaluar një prokuroreje tjetër

Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka konfirmuar nëse rasti i vrasjes së Liridona Ademajt po hetohet nga prokurorja Javorka Perlinqeviq, siç e tha të hënën prokurorja Besa Limani, që u mor në fillim me këtë rast.  Kjo e fundit pas dy muajsh do të dalë në pension.

Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk është duke e konfirmuar nëse rasti i vrasjes së Liridona Ademajt ka kaluar nga prokurorja Besa Limani tek prokurorja Javorka Perlinqeviq.

Televizioni 7 të hënën ka raportuar se rasti i vrasjes së Liridona Ademajt ka kaluar tek prokurorja Javorka Perlinçeviq bazuar në deklaratat e prokurores Besa Limani që u more me hetimet e para mbi këtë vrasje makabre.

T7për këtë çështje kontaktoi edhe me prokuroren Perlinçeviç por e njëjta refuzoi të përgjigjet.

Prokurorja Perlinçeviq në të kaluarën ka hetuar vrasjen e një personi te nënkalimi në Prishtinë. Aty një i dyshuar pas një sulmi fizik, e kishte shtyrë shkallëve viktimën, i cili nga goditjet kishte vdekur. Prokurorja serbe e kishte cilësuar veprën si “Vrasje nga pakujdesia”. I dyshuari ishte dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg. Perlinçeviq punon si prokurore që nga viti 2012. Gazeta Express ka dërguar pyetje në Prokurori për të konfirmuar angazhimin e saj në këtë lëndë, por s’ka marrë përgjigje.

Vendimi i Apelit për t’i lënë në paraburgim katër të dyshuarit

Dy javë më parë, Kosova u trondit nga një krim i rëndë që u krye në fshatin Bërrnicë të Prishtinës, ku para dy fëmijëve të saj, u vra 30-vjeçarja me shtetësi suedeze, Liridona Ademaj.

Rasti fillimisht u cilësua si grabitje me pasoja vrasjeje, por më pas, Policia e Kosovës arrestoi tre të dyshuar lidhur me rastin, përfshirë edhe bashkëshortin e Liridonës, Naim Murselin.

Murseli dyshohet se porositi vrasjen e gruas së tij, duke i premtuar 30 mijë euro Granit Plavës për ta kryer krimin e rëndë. Ndërsa, i arrestuari tjetër për këtë rast, Kushtrim Kokalla, dyshohet për marrëveshje për të kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Në ndërkohë, dje Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të dyshuarit Naim Murseli, avokatit Ahmet Ahmeti, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të 3 dhjetorit 2023, me të cilin Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nën dyshimin për vrasjen e 30-vjeçares, Liridona Ademaj.

“Me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PPRKR.nr.309/2023 të datës 12.12.2023, të pandehurve N.M, G.P dhe K.K, i ’u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri N.M, ka kryer veprën penale në bashkëkryerje vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.3 dhe 1.4, lidhur me nenin 31 të KPRK, i pandehurit G.P, për shkak të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 dhe 1.6 të KPRK dhe veprës penale secili veç e veç mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK, si dhe i pandehuri K.K për shkak të veprës penale marrëveshja për të kryer veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.6 lidhur me nenin 35 të KPRK”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Ndryshe, të dyshuarit të katërt në këtë rast, Tomë Dodaj, më 11 dhjetor i është caktuar masa e paraburgimit.

I dyshuari i katërt u arrestua më  9 dhjetor, nën dyshimin se ia shiti armën dorasit.

Suedia s’jep informata për të kaluarën e Naim Murselit, hetimet për vrasjen plot “mister” ia lë Kosovës hetime

Shteti suedez po i vëzhgon hetimet që po zhvillojnë autoritetet e Kosovës lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt dhe arrestimin e bashkëshortit të saj, i cili dyshohet se porositi vrasjen. Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Suedisë s’kanë pranuar të tregojnë nëse janë përfshirë direkt në hetime, por vetëm kanë thënë se me rastin po merret ambasada e tyre në Prishtinë. Policia suedeze thotë se s’mund të ndajnë informacione nëse Naim Murseli ka ndonjë precedent kriminal atje, për shkak të ligjeve të privatësisë.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Suedisë kanë deklaruar për Gazetën Express se mund të konfirmojnë arrestimin e një burri rreth të 30’ve në Kosovë, duke aluduar për Murselin dhe se me rastin po merret ambasada suedeze në Prishtinë.

Informacione të tjera kanë thënë se s’mund të ndajnë, për shkak të konfidencialitetit.

“Ministria suedeze e Punëve të Jashtme mund të konfirmojë se një burrë rreth të 30-ave është arrestuar në Kosovë. Ambasada e Suedisë në Prishtinë po merret me këtë çështje. Dispozitat e fshehtësisë në çështjet konsullore parandalojnë zbulimin e çdo informacioni të mëtejshëm. Të gjitha pyetjet në lidhje me ndonjë hetim policor ia referojmë policisë në Kosovë”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Media të MPJ’së së Suedisë.

Informacione s’kanë pranuar të ndajnë as Policia e Suedisë. Në pyetjet që i ka drejtuar Gazeta Express tek ky institucion, përfshirë edhe një nëse Murseli ka të kaluar kriminale atje, Policia suedeze ka thënë se ligjet e privatësisë s’ua lejojnë të përgjigjen në të tilla pyetje.

“Policia suedeze nuk është në gjendje të ndihmojë me përgjigjet e pyetjeve që ju i keni bërë autoritetit policor në emailin tuaj. Kjo në lidhje me legjislacionin suedez të privatësisë”, thuhet në përgjigjen e policisë suedeze për Express.

Lidhur me këtë rast, para një jave, është deklaruar edhe Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Ëesterlund.

Ai tha se shteti suedez po punon ngushtë me autoritetet e Kosovës për hetimin e këtij rasti, të cilin cilësoi “mister”.

“Ne jemi duke punuar pandërprerë rreth këtij rasti së bashku me autoritetet lokale të Kosovës. Ky është një rast shumë i ndjeshëm dhe ka shumë mister rreth këtij rasti, nuk mund të them më shumë, jemi duke punuar në këtë rast bashkë me autoritetet”, ka thënë ambasadori.

Murseli s’mund të ekstradohet në Suedi – s’e lejon Ligji

Pas arrestimit të Murselit, janë ngritur dyshime nëse Suedia do të bëjë kërkesë për ekstradimin e tij dhe nëse një gjë e tillë do të lejohet nga Kosova.

Këtyre dyshimeve, u ka dhënë fund Ministria e Drejtësisë e Kosovës.

Duke iu referuar ligjit në fuqi, Ministria e Drejtësisë ka thënë qartazi se ekstradimi nuk lejohet për veprat penale që kryhen në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës.

“Sa i përket pyetjes së parë ligji në fuqi në Republikën e Kosovës e përcakton se ekstradimi nuk do të lejohet për veprat penale të kryera në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Sipas Ligjit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në çështjet penale, Nenit 6, “Ekstradimi nuk do të lejohet për veprat penale të kryera në tërësi në territorin e Republikës së Kosovës dhe mund të mos lejohet për vepra penale të kryera pjesërisht në territorin e Republikës së Kosovës”.

Si u tentua të fshehej rasti?

Ky rast fillimisht ishte kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.

Në raportin 24 orësh të Policisë u tha se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur  i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.

“GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dalip Alshiq, Prishtinë  29.11.2023 –20:26.  Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja  e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.