Tare nuk mendon se Lazio mund të shpallet kampion në Serie A

Lazio është surpriza e vërtetë e këtij sezoni në kampionatin italian, teksa me 9 fitore radhazi në javët e fundit është ngjitur shumë në renditje dhe jo vetëm që ka konsoliduar pozitat në zonën Champions, por i janë shtuar pretendimet.

Përveç trajnerit Simone Inzaghi, një nga arkitektët e kësaj Lazio fituese është edhe Drejtori Sportiv, Igli Tare, që në një intervistë të dhënë për mediat italiane theksoi se bardhekaltrit nuk duhet të çojnë ndërmend fjalën titull.

“Titulli? Nuk duhet ta mendojmë tani, Duhet të qëndrojmë të bashkuar, të përqendruar dhe me të njëjtën uri për fitore, duke qenë të ndërgjegjshëm që jemi një skuadër e fortë. Objektivi ynë është një vend në zonën Champions, por nëse në javët e fundit do jemi duke luftuar për diçka më të madhe, atëherë nuk do të tërhiqemi mbrapa”, deklaroi ish sulmuesi shqiptar.

Igli Tare thekson se Lazio ka bërë vetëm gjysmën e rrugës, duke fituar disa beteja, por ende jo luftën, ndërsa bëri thirrje që skuadra të tentojë suksesin edhe ndaj Napolit, për të fituar më shumë siguri.

“Të shtunën kemi Napolin, një skuadër të fortë, që ka luftuar për titull vitet e fundit. Duhet ta fitojmë këtë takim, për të qenë më të bindur për forcën tonë dhe mbi të gjitha për të ruajtur këtë ecuri rezultatesh”, tha Drejtori Sportiv i Lazios.