Këshilli i Evropës

“Tani fillojnë punët e rënda”: Çfarë do të bëjë Qeveria para votimit në Komitet të Ministrave të KiE-së?

Republika e Kosovës është një hap larg anëtarësimit në Këshill të Evropës. Pas votimit të djeshëm në Asamblenë Parlamentare, ku me dy të tretat e votave është miratuar raporti që rekomandon anëtarësimin e Kosovës, sytë janë drejtuar nga mbledhja e Komitetit të Ministrave të KiE-së.

Ndërkombëtaret dhe vendorët kanë bërë me dije se tani kanë filluar punët e vështira për Qeverinë e Kosovës.

Zyrtarisht ende nuk kanë treguar se cilat janë këto veprime që duhet t`i ndërmarr Kosova, por jo zyrtarisht po përmendet dërgimi i draft-statutit të Asociacioni për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Ndër të paret që ka reaguar, pas votimit të mbrëmshëm, ka qenë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Në llogarinë e tij në rrjetin social “X”, diplomati gjerman ka shkruar se tani fillojnë punët e rënda për Kosovën për të siguruar votat e mjaftueshme në Komitetin e Ministrave.

“Aplikimi për anëtarësim i Kosovës fitoi pothuajse 80% të votave! Tani fillojnë punët e rënda: për të siguruar shumicën e nevojshme 2/3 në Komitetin e Ministrave në maj, Kosova duhet të bëjë atë që duhet për të bindur me meritë dhe veprim!”, ka shkruar ai.

Ai nuk ka dhënë detaje tjera se cilat do të jenë ato punë të rënda, por më herët gazeta Nacionale ka raportuar se Gjermania është duke ia kërkuar Qeverisë së Kosovës dërgimin e Asociacionit në Kushtetuese.

Duke i thirrur në burimet e saj diplomatike, gazeta kishte raportuar se këtu nuk bëhet fjalë për zbatim komplet të këtij obligimi.

“Jo zbatim i plotë i Asociacionit, por progres në proces…dërgimi i propozimit të BE-së për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë burimi i gazetës.

Edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila është pjesë e delegacionit të Kosovës për Këshill të Evropës, ka thënë se votimin në Komitetin e Ministrave do të jetë më i komplikuar.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ajo ka thënë se aty do të vërehet puna e Qeverisë.

“Votimi në Komitet është me i komplikuar dhe mban qëndrimet zyrtare të shteteve. Tani, këtu flet puna e ekzekutivit, pra Kryeministrit e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Uroj të jemi në agjendë në muajin maj dhe të mos dështojmë!”, është shprehur ajo, duke shtuar se ndërkombëtaret po kërkojnë nga Kosova garanci për çështjen e Asociacionit.

“Sidoqoftë, shtet mike duan një garanci e përkushtim të Qeverisë së Kosovës drejt themelimit të Asociacionit dhe cili do të jetë versioni që do t`i bind aleatët tanë mbetet të shihet!”, është shprehur ajo.

Edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi, që është pjesë e delegacionit të Kosovës për Këshill të Evropës, ka bërë me dije se një gjë e tillë mund t`i kërkohet Kosovës.

“Ka indicie që ka pasë, u raportua që ka pasë të dërgohet para dërgimit në Komitetin e Ministrave, të plotësohet edhe një kriter që do të ishte dërgimi i Draftit në Kushtetuese. Kjo nuk është komunikuar zyrtarisht, por ka indicie që kjo do të ndodhë”, ka thënë Gashi për emisionin “Pressing”.

Qeveria optimist edhe për fazën finale
Qeveria e Kosovës është shprehur optimiste edhe për fazën finale të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Askush prej zyrtarëve qeveritarë nuk e kanë thënë zyrtarisht se Kosovës i është kërkuar dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

Pas votimit të mbrëmshëm, kryeministri Albin Kurti ka bërë me dije se Qeveria do ta vazhdojë punën drejt arritjes së qëllimit final.

“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka vlerësuar se me anëtarësimin e Kosovës do të fitojë edhe Këshilli i Evropës.

“Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut”, është shprehur Kurti.

Edhe kryediplomatja Donika Gërvalla ka paralajmëruar shtim të lobimit për këtë çështje.

“Nga nesër fillojmë intensivisht punën për të arritur edhe hapin final të pranimit të plotë të Republikës së Kosovës në organizatën që si asnjë tjetër në Evropë identifikohet me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve në mbarë Evropën. Kosova është e gatshme dhe e përgatitur për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Këtë sonte e konfirmoi me votën e fuqishme të 82% të delegatëve të pranishëm Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës”, ka shkruar Gërvalla në profilin e tij në “Facebook”.

Pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, raporti do të procedohet te Komiteti i Ministrave, i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj 2024.

VIDEO BONUS: