KFOR

Takimi Ulutash dhe Lajçak: Vendimet në lidhje me Urën e Ibrit duhet të merren në kuadër të dialogut

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash u takua sot me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak.

Në njoftimin e lëshuar nga KFOR-i thuhet se në takim u vlerësua bashkëpunimi shumë i ngushtë dhe koordinimi i rregullt ndërmjet KFOR-it dhe BE-së në terren, si dhe u diskutuan një sërë temash me interes të ndërsjellë që ndikojnë për një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet anembanë Kosovës.

“Ata përsëritën përkushtimin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin në dobi të sigurisë në mbarë Kosovën dhe të stabilitetit rajonal”.

“Ata gjithashtu rikonfirmuan se çdo vendim në lidhje me urën e Mitrovicës duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin NATO vazhdon ta mbështesë, duke përfshirë përpjekjet e KFOR-it. Ky është çelësi për sigurinë e të gjitha komuniteteve. KFOR-i mban një prani fikse në urën e Mitrovicës dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth”, thuhet në njoftim.