Zgjedhjet në veri

S’ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri – Analistët: Lista Serbe të kalojë nëpër filtrat e institucioneve të sigurisë

Njohës të çështjeve politike kanë bërë thirrje që para organizimit të zgjedhjeve në Kosovë, Lista Serbe të kalojë nëpër filtra të sigurisë nga AKI, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i. Krejt kjo pas sulmit terrorist në veri të vendit me 24 shtator, ku këtij sulmi terrorist i priu ish-nënkryetari i kësaj partie, Milan Radojiçiq, raporton Ekonomia Online.

Sipas tyre në vend nuk mund të ketë organizim të zgjedhjeve në katër komunat veriore, pasi nuk ka normalizim të marrëdhënieve më Serbinë.  Ata poashtu kanë bërë thirrje që veçanërisht zyrtarë kryesorë të kësaj partie të hetohen pasi sipas tyre, ata vazhdimisht bëjnë veprime kundër shtetit të Kosovës.

Njohës i çështjeve politike, Gazmir Raci, tha se përderisa Serbia po vazhdon të luftojë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës nuk ka kushte për zgjedhje të parakohshme në veri.

“Ne nuk mund të flasim për zgjedhje të parakohshme në veri përderisa Serbia vazhdon ta luftojë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, përderisa Serbia vazhdon të i mbaje 48 bazat e saja ushtarake të hapura rreth kufirit të Kosovës dhe përderisa vazhdon që të mos ta gjykojë e ta arrestojë Mlian Radojiçiq. Nuk ka kushte për  të shkuar në zgjedhje të parakohshme përderisa nuk ka normalizim të marrëdhënieve më Serbinë”, tha ai.

Ai tha se Lista Serbe do të duhej të shpallet organizatë terroriste, pasi sipas tij, kjo parti në gjirin e saj ka mbajtur terroristin Milan Radojiçiq. Raci bëri thirrje që në të ardhmen në të gjitha zgjedhjet që do aplikojë Lista Serbe si parti politike të kalojë në disa filtra të sigurisë edhe të kontrollit.

“Lista Serbe duke që ka filluar reformimin e saj që nga brenda sepse e ka ndjerë rrezikun që mund të penalizohet nga institucionet e sigurisë së Kosovës dhe të drejtësisë. Unë kam thënë që ajo do të shpallet organizatë terroriste nëse në gjirin e saj mbanë terrorist si është Radojiçiq e po ashtu u pa që edhe kryetari i saj e ka ndihmuar aksionin e fundit terrorist por kjo duhet të verifikohet nga institucionet e drejtësisë”.

“Ata filluan një lloj transformimi brenda, mirëpo një analist serb tha që Listës Serbe nuk i duhet një kirurg por një psikiatër dhe ishte konstatim shumë interesant që i shkon për shtati Listës Serbe tani. Në të ardhmen në të gjitha zgjedhjet që do aplikojë Lista Serbe si parti politike duhet kalojë në disa filtra të sigurisë edhe të kontrollit në AKI, Policia e Kosovës, EULEX, dhe KFOR-i sepse aty vazhdon të ketë element që e kanë mbështet agresionin ndaj Kosovës”, tha ai.

Njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, tha se anëtarët e Listës Serbe është dashur që të verifikoheshin më herët.

Sipas tij, zyrtarët kryesorë të kësaj partie duhet që të verifikohen për financat e tyre, bashkëpunimin me organizata të caktuara edhe qëllimet që i kanë brenda institucioneve të Kosovës pasi sipas tij, ata janë vazhdimisht persona të cilët bëjnë veprime kundër shtetit të Kosovës, raporton EO.

“Anëtarët e saj u dashur që të verifikoheshin qysh moti, sepse Lista Serbe nuk e ka për herë të parë që e bën lloje të tilla kundër shtetit e ka bërë në mënyra të ndryshme kushtetuese. E kemi edhe në zgjedhjet e fundit ku ata u munduan qe të marrin rreth 18 deputetë duke manipuluar votat në Kuvend nga minoritetet jo shumicë serbe. Dhe qysh atëherë është dashur të marrim masa por edhe tani duhet që të merren”, tha ai.

“Të paktën zyrtarët kryesorë duhet të verifikohen për financat e tyre dhe bashkëpunimin që e kanë më organizata të caktuara ,edhe objektivat e tyre dhe qëllimet që i kanë në funksionimin brenda institucioneve të Kosovës por edhe brenda Republikës së Kosovës sepse ata janë vazhdimisht persona të cilët bëjnë veprime kundër shtetit të Kosovës”, tha ai.