Si mund ta masim ekonominë dixhitale?

Nga Erik Brynjolfsson* dhe Avinash Collis*

SHIFRAT: Rreth 20 për qind e përdoruesve të Facebook ranë dakord të mos e përdornin shërbimin për 1 dollar; po aq përdorues nuk pranuan të hiqnin dorë nga përdorimi i FB edhe për 1000 dollarë.

PROBLEMI: Ndërsa ne shpenzojmë një pjesë gjithnjë e më të madhe të jetës sonë në internet, mallrat dhe shërbimet digjitale kryesisht nuk vlerësohen në PBB. Kjo për shkak se matja e PBB bazohet në cmimet që njerëzit paguajnë për mallrat dhe shërbimet. Nëse një shërbim ka një çmim zero, atëherë edhe pesha e tij në PBB është zero.

NDIKIMI: Politikëbërësit i përdorin të dhënat e PBB-së për të marrë vendime të tilla se si të investojnë në gjithçka, nga infrastruktura deri te arsimi dhe mbrojtja në internet. Rregullatorët e përdorin atë për të ndërmarrë politika që ndikojnë teknologjinë dhe biznesin. Për shkak se përfitimet e dixhitalizimit janë nënvlerësuar në mënyrë dramatike, këto vendime dhe politika po marren në kushtet e njohjes së dobët të realitetit.

NJË QASJE E RE: PBB-B është një metodë alternative që plotëson kornizën tradicionale të PBB-së duke shtuar në kontributet për mirëqenien e konsumatorit edhe mallrat e shërbimet falas.

Supozoni se ju bëjnë një ofertë. Ju duhet të hiqni dorë nga kërkimi në Google për një muaj, në këmbim të një pagese prej 10 dollarë. E bëni? Po për 100 dollarë? Po për 1,000? Sa do të kërkoni në këmbim të heqjes dorë nga Wikipedia? Përgjigja juaj mund të ndihmojë për të kuptuar vlerën e ekonomisë dixhitale.

Në vitin 2018, amerikanët kaluan mesatarisht 6.3 orë në ditë në median dixhitale –përfshirë këtu Google, Wikipedia, rrjetet sociale, mësimet në internet, mesazhet dhe emailet, video konferencat, muzikën, aplikacionet e smartfonëve, etj.

Media dixhitale po merr një pjesë të madhe dhe në rritje nga jeta jonë, por këto mallra dhe shërbime kryesisht nuk përfshihen në treguesit zyrtarë të veprimtarisë ekonomike siç janë PBB dhe produktiviteti (që është thjesht PBB pjestuar me orët e punës). Ne dëgjojmë më shumë muzikë, kërkojmë shpesh e më shpesh në internet, komunikojmë me bashkëpunëtorët dhe miqtë në një larmi mënyrash, dhe shijojmë shumë përfitime të tjera që 40 vjet më parë as që i imagjinonim.

Por nëse u referohemi vetëm shifrave të PBB-së, revolucioni dixhital nuk ka ndodhur ende. Pesha e sektorit të informacionit në PBB-në totale që kur është matur nga vitet ’80, ka mbetur mes 4 dhe 5 për qind në vit, për të shënuar rritjen më të madhe në 5.5 për qind në 2018. Për të parafrazuar ekonomistin Robert Solow, ne e shohim epokën dixhitale kudo, përveçse në statistikat e PBB-së.

Arsyeja që vlera e ekonomisë dixhitale nuk pasqyrohet si duhet në PBB është se matja e saj bazohet vetëm në atë që njerëzit paguajnë për mallrat dhe shërbimet. Me disa përjashtime, nëse diçka ka një çmim zero, atëherë ai kontribuon me zero vlerë në PBB.

Por shumica prej nesh marrin shumë më tepër vlerë dhe përfitim nga mallrat e shërbimet dixhitale falas siç janë Wikipedia, hartat online, librat etj, krahasuar me paraardhësit e tyre më të shtrenjtë prej letre.

Politikëbërësit i përdorin të dhënat e PBB-së për të marrë vendime të tilla se si të investojnë në gjithçka, nga infrastruktura deri te arsimi dhe mbrojtja në internet. Rregullatorët e atë tregues për të ndërmarrë politika që ndikojnë teknologjinë dhe biznesin.

Për shkak se përfitimet e dixhitalizimit janë nënvlerësuar në mënyrë dramatike, këto vendime dhe politika po merren në kushtet e njohjes së dobët të realitetit.

Menaxhimi efektiv i ekonomisë dixhitale varet nga aftësia jonë për të vlerësuar me saktësi vlerën e mallrave dhe shërbimeve dixhitale falas. Kjo është arsyeja pse ne kemi zhvilluar një teknikë të re për të matur jo vetëm sa paguajnë konsumatorët për produktet dixhitale, por edhe sa përfitojnë ata prej tyre.

Është një përfitim në vlera të konsiderueshme. Për shembull, sipas një hulumtimi që ne kemi bërë bashkë me Felix Eggers, nga Universiteti i Groningen, rezultoi se vetëm Facebook-u, që nga 2004, ka krijuar për konsumatorët më shumë se 225 miliardë dollarë vlerë të pa përfshirë në PBB.

Vlerësimi i përfitimit të papërfshirë, të mallrave e shërbimeve falas, nuk është një problem i ri: Mendoni valët e mëparshme të inovacionit që prodhuan oferta falas apo gati falas si antibiotikët, radio e televizioni, të cilat në mënyrë të qartë i jepnin vlerë të konsiderueshme konsumatorit. Por duke pasur parasysh rritjen jashtëzakonisht të shpejtë të mallrave dhe shërbimeve dixhitale në ekonomi, tani është koha për ta zgjidhur problemin.

Çfarë nuk masim në PBB

PBB përdoret si treguesi bazë për të kuptuar ecurinë e ekonomisë. Është një tregues relativisht i saktë që sinjalizon çdo tremujor nëse ekonomia po rritet apo po tkurret. Sidoqoftë, PBB tregon vlerën monetare të të gjitha mallrave përfundimtarë të prodhuar në ekonomi. Sepse mat vetëm sa paguajmë për gjërat, dhe jo sa përfitojmë. Mirëqenia ekonomike e konsumatorit mund të mos jetë e lidhur me PBB-në.

Në fakt, ndonjëherë bie kur PBB rritet, dhe anasjelltas.
Lajmi i mirë është se në ekonomi, të paktën në mënyrë teorike, është mundësia  për të matur mirëqenien e konsumatorit. Treguesi quhet tepricë konsumatore, ai është diferenca e cmimit real me atë maksimal, që një konsumator do të ishte i gatshëm të paguante për një të mirë ose shërbim. Nëse do të ishit i gatshëm të shpenzoni 100 dollarë për një këmishë, por në fakt keni paguar vetëm 40 dollarë, atëherë keni një tepricë konsumatore prej 60 dollarë.
Për të kuptuar se si PBB-ja mund të jetë një tregues i rremë për mirëqenien ekonomike, krahasoni Enciklopedinë Britanike dhe Wikipedian. Britannica dikur kushtonte disa mijëra dollarë, që do të thotë se klientët e saj e konsideronin se ia vlente të paguaje aq. Wikipedia, një shërbim falas, ka shumë më tepër artikuj, me cilësi të krahasueshme, madje edhe më të mirë se sa ofronte Britannica.

Matur si shpenzim konsumator, industria e printit po zvogëlohet (Enciklopedia doli nga biznesi dhe në vitin 2012 nuk u shtyp më, pasi konsumatorët e braktisën atë). Por, matur nga përfitimet, konsumatorët nuk kanë qenë kurrë më të mirë se sot.

Hulumtimi ynë tregoi se vlera mesatare që konsumatorët amerikanë përfitojnë nga Wikipedia është rreth 150 dollarë në vit – në një kohë që çmimi që ata paguajnë është 0 dollarë. Kjo përkthehet në afërsisht 42 miliardë dollarë tepricë konsumatore që nuk reflektohet në PBB-në e SHBA.

Shpenzimet e konsumatorit – baza për matjen e PBB – mund të llogariten mbi të ardhurat në arkë dhe paraqiten në pasqyrat e të ardhurave të kompanive. Në të kundërt, teprica konsumatore nuk mund të matet drejtpërdrejt.

Kjo është edhe arsyeja që nuk është përdorur shumë në matjen e ekonomisë. Për fat të mirë, revolucioni dixhital ka krijuar jo vetëm sfida të vështira për matje, por edhe mjete të reja të fuqishme për sigurimin e saj. Në hulumtimin tonë, ne përdorëm teknika dixhitale të sondazhit, duke realizuar eksperimente masive për zgjedhjen e internetit dhe ekzaminimin e preferencave të qindra mijëra konsumatorëve.

Rezultatet na lejojnë të vlerësojmë tepricën konsumatore për një larmi të madhe të mallrave e shërbimeve, përfshirë dhe ato falas, që mungojnë nga statistikat e PBB-së. Ne e nisëm duke u kërkuar pjesëmarrësve në sondazhe që të bënin zgjedhje. Në disa raste u kërkuam atyre të tregonin zgjedhjen për mallra e shërbimeve të ndryshme (për shembull, “Kë përdorni më shumë në një muaj hyrjen në Wikipedia apo në Facebook?”).

Po ashtu i vumë para zgjedhjes se sa vlerë monetare do të kërkonin në këmbim të heqjes dorë nga një shërbim dixhital. (“A do të hiqnit dorë nga Wikipedia për 10 dollarë në muaj?”). E vijuam këtë eksperiment për të zbuluar preferencat e vërteta të njerëzve. Për të matur tepricën e vlerësimit të përgjithshëm të gjeneruar nga Facebook, ne rekrutuam një mostër përfaqësuese të përdoruesve me bazë në SHBA dhe u ofruam atyre shuma të ndryshme parash për ta hequr dorë për një muaj. Për të verifikuar përgjigjet, disa pjesëmarrës u zgjodhën rastësisht që të pranonin pagesa dhe të hiqnin dorë nga shërbimi përnjë  muaj.

Ne i shtuam ata si miq në Facebook – natyrisht me lejen e tyre – për të konfirmuar që ata nuk hynë në FB atë muaj.
Rreth 20% e përdoruesve ranë dakord për të ndaluar përdorimin e shërbimit për sa më pak se 1 dollar; por po aq nuk pranuan të heqin dorë edhe për vlera deri 1000 dollarë. Vlera monetare mesatare që përdoruesit tanë në Facebook ishin të gatshëm të pranonin të hiqnin dorë nga shërbimi për një muaj ishte 48 dollarë. Në bazë të anketës dhe eksperimenteve vijuese, vlerësuam se konsumatorët e SHBA-së kanë përfituar 231 miliard dollarë vlerë nga Facebook që nga fillimi i tij në 2004.
Një studim të ngjashëm kryem edhe në Evropë. Zbuluam se vlera mesatare që pjesëmarrësit europianë kërkonin si kompensim për të hequr dorë nga Facebook për një muaj ishte edhe më e lartë, rreth 97 euro.

Ne gjithashtu zbuluam që përdoruesit me më shumë miq kërkonin një vlerë më të lartë, duke reflektuar faktin se efektet e rrjetit janë një faktor kryesor në vlerësimin e konsumatorit. Njerëzit që përdorin Instagram dhe YouTube e vlerësonin më pak Facebook-un. Mesatarisht, gratë vlerësonin Facebook-un më shumë se burrat, dhe të moshuarit e vlerësonin atë më shumë sesa të rinjtë – ndoshta sepse përdoruesit e moshuar kanë më pak tendencë të kalojnë në platforma alternative të mediave sociale si Snapchat apo  Instagram.

Dikush mund të mendojë se vlera e gjeneruar nga Facebook llogaritet në PBB përmes të ardhurave të saj nga reklamat. Sidoqoftë, vlerësimet tona tregojnë se platforma gjeneron një tepricë mesatare konsumatore prej rreth 500 dollarë për person në vit, në SHBA, dhe të paktën aq ose më shumë për secilin përdorues në Evropë. Në të kundërt, të ardhurat mesatare për përdorues janë vetëm rreth 140 dollarë në vit në SHBA dhe 44 dollarë në vit në Evropë.

Me fjalë të tjera, për Facebook që operon si një nga platformat më të mëdha të reklamimit, të ardhurat nga reklamat paraqesin vetëm një pjesë të përfitimit të përgjithshëm të konsumatorit. Sipas Michael Spence nga NYU Stern dhe Bruce Owen nga Stanford të ardhurat nga reklamimi dhe teprica konsumatore nuk janë gjithmonë të lidhura: Njerëzit marrin shumë vlerë edhe nga përmbajtja, apo në paltforma që nuk gjenerojnë shumë reklama, të tilla si Wikipedia ose email.

Pra, është gabim të përdorësh të ardhurat nga reklamat si tregues i tepricës konsumatore. Njëlloj është edhe për produktet dixhitale që gjenerojnë të ardhura nga tarifat e përdoruesve dhe abonimet.

Për shembull, përdoruesit paguajnë 120 deri në 240 dollarë në vit për shërbimet e transmetimit të videove, si Netflix, Hulu dhe HBO. Por sondazhet tona tregojnë se vlera e përfitimit të konsumatorëve nga ato shërbime është 5 deri në 10 herë më shumë se tarifa që ato paguajnë.

Efekti i tepricës konsumatore është edhe më i fortë për kategori të vecanta të produkteve dixhitale. Ne kemi kryer studime për ta matur atë për kategoritë më të njohura në SHBA dhe zbuluam se kërkimi është kategoria më e vlerësuar (me një vlerësim mesatar prej më shumë se 17,000 dollarë në vit), e ndjekur nga përdorimi i e-mailit dhe hartave. Këto kategori nuk kanë zëvendësues të tjerë, ndaj shumë njerëz i konsiderojnë ato thelbësore për punën dhe jetën e përditshme.

Përllogaritja e vlerave

Parë në perspektivën e kontributit në ekonomi të mallrave dixhitale, zbuluam se duke përfshirë vlerën e tepricës konsumatore të vetëm një të mire dixhitale, Facebook-ut, në PBB e SHBA kishim një shtesë mesatare të rritjes prej 0.11 pikë përqindje në vit nga 2004 deri në 2017. Gjatë kësaj periudhë, PBB është rritur mesatarisht me 1.83% në vit. Del qartë, se matja e PBB në këtë periudhë është e nënvlerësuar substancialisht.
Duke punuar me ekonomistët Erwin Diewert, Felix Eggers dhe Kevin Fox të Universitetit të British Columbia, ne hartuam një metodë për matjen e përfitimeve të ekonomisë dixhitale. PBB-B është një metodë alternative që plotëson kornizën tradicionale të PBB-së duke shtuar kontributin e mallrave falas në mirëqenien e konsumatorit. Krijuesit e politikave, menaxherët dhe ekonomistët mund ta vlerësojnë këtë kontribut duke përdorur metodat relativisht të lira që përdorëm ne, të përmendura edhe më lart: sondazhet në shkallë të gjerë.

Me grumbullimin e të dhënave shtesë, ndryshimet në PBB-B mund të vlerësohen rregullisht dhe të lëshohen së bashku me vlerësimet tremujore ose vjetore të PBB-së. Por duhet theksuar se metoda jonë ka dy kufizime të rëndësishme. Së pari, vlerësimet tona të PBB-së janë akoma larg nga të qenët gjithëpërfshirëse dhe nuk janë aq të sakta sa matja tradicionale e PBB-së. Do të na duhet të përfshijmë shumë më tepër mallra e produkte dhe të bëjmë më shumë eksperimente me zgjedhje në internet për të marrë një vlerësim sa më të saktë.

Së dyti, si PBB-ja tradicionale, edhe metoda jonë nuk përmban disa nga efektet e mundshme negative të mallrave dhe shërbimeve, përfshirë edhe të platformave në internet. Studime të shumta tregojnë që platformat e mediave sociale mund të çojnë në varësi dhe se përdorimi i internetit dhe i telefonave inteligjentë mund të kenë ndikim negativ në një larmi treguesisht që shkojnë nga produktiviteti i punës deri tek shëndeti mendor. Të tjerë kanë argumentuar se disa mallra dixhitale që sjellin dëme imponojnë shpenzime për konsumatorët. Tani për tani, metoda jonë e PBB-B mat vetëm përfitimet personale dhe kostot e lidhura me mallrat, siç deklarohen (ndoshta me pasaktësi) nga pjesëmarrësit në eksperimentet tona. Ne po punojmë për adresimin e këtyre kufizimeve.

Përgjigjet e problemeve për rregullimet në teknologji, sa duhet ubvencionuar për infrastrukturën dixhitale, dhe madje se cilat lloje të ofertave të reja dixhitale duhet të krijojnë sipërmarrësit, varen nga të kuptuarit e përfitimeve të vërteta që sjell ekonomia dixhitale. Kjo qasje e jona gjithashtu mund të ndihmojë për të matur më mirë edhe përfitimet që marrim nga mallrat konvencionale, nga drithërat e mëngjesit deri tek biletat e avionit. Në mënyrë më ambicioze, kjo mund të ndihmojë në gjenerimin e vlerësimeve më të sakta të përfitimeve që marrim nga tregues e shërbime të tilla publike, si cilësia e ajrit, kujdesi shëndetësor apo infrastruktura. /Harvard Business Review, Nëntor–Dhjetor 2019 /SCAN Magazine