Shtohen dyshimet për afera korruptive me energjinë, analistët tregojnë arsyet pse LVV doli kundër Komisionit Hetimor

Kuvendi i Kosovës, me votën kundër të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, gjatë ditës së sotme nuk e ka votuar themelimin e Komisionit Hetimor për energjinë.

Me 23 vota për dhe 50 kundër, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të themelojë Komisionin Hetimor për energjinë elektrike, pasi që opozita pretendon se është keqmenaxhuar nga Qeveria Kurti, shkruan Demokracia.com.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar kundër themelimit të këtij komisioni. Ndërsa, lidhur me zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës dhe mosvotimin nga ana e deputetëve të pushtetit për krijimin e Komisionit Hetimor për energjinë, ka folur edhe eksperti i ekonomisë Mustafë Kadrijaj.

Ai për Demokracia.com ka thënë se Qeveria e tanishme po e keqpërdor besimin e qytetarëve.

“Besimin që e kanë marrë nga qytetarët, Qeveria e tanishme çdo ditë e më shumë. Është duke e keqpërdorur për faktin që i ka dhënë aq komoditet të madh, saqë nuk po e përfill asnjë shqetësim e asnjë kërkesë të qytetarëve, aq më shumë të opozitës. Komoditeti është aq i lartë i Qeverisë, saqë çdo ditë e më shumë është duke abuzuar me këtë fuqi parlamentare”, ka thënë Kadrijaj.

Kadrijaj: Mosvotimi i Komisionit Hetimor rrit dozën e dyshimit për aferë korruptive

“Kur është në pyetje votimi për Komisionin Hetimor në rastin e energjisë elektrike, me vetë faktin që nuk kanë interesim për ta votuar nga ana e Qeverisë dhe nga ana e shumicës parlamentare, këtu rritet doza e dyshimit, sepse nuk ka interesim për të bërë një hetim të tillë. Pra, me vetë faktin që nuk duan ta votojnë shihet që ka vend për dyshime dhe për një aferë korruptive. Opozita e tanishëm e ka fuqinë jashtëzakonisht të dobët për të kontrolluar qeverinë e tanishme”, ka thënë Kadrijaj.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se qeverisja e tanishme po luan me komoditetin e saj.

“Qytetari në të ardhmen duhet të vetëdijesohet, që pa marrë parasysh që dikush duhet të jetë fitues në zgjedhje, askush nuk duhet të ketë kësi lloj komoditeti të lartë. Qeverisja e tanishme po luan me komoditetin e saj, duke mos përfillur asnjë shqetësim të qytetarëve dhe opozitës. Secili deputet është i lirë të votojë, por duhet të votojë gjithnjë në interes të qytetarit dhe jo subjektit të caktuar”, ka shtuar eksperti i ekonomisë Mustafë Kadrijaj.

Ndërsa, analisti politik Arton Demhasaj ka deklaruar për Demokracia.com se Vetëvendosje është dakord për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Meqë është gabim për shkak se ka shumë pakënaqësi për shtrenjtimin dhe mënyrën e shtrenjtimit të energjisë elektrike, pra Vetëvendosje edhe pse është në pushtet është kundër ta aprovojë kërkesën e opozitës që ta krijojnë një komision. Pra, mosvotimi e mospërkrahja e kësaj iniciative nënkupton që është dakord sesi është shtrenjtuar energjia elektrike”, ka deklaruar Demhasaj për Demokracia.com.

Ai gjithashtu ka shtuar se për mënyrën sesi ka shkuar shtrenjtimi i energjisë elektrike është mirë të na japin përgjigje.

“Qoftë edhe pak dyshime nëse ka në shtrenjtimin apo mënyrën sesi ka shkuar shtrenjtimi i energjisë elektrike, nga këto dyshime është mirë të na japin përgjigje përmes këtij komisioni parlamentar”, ka thënë Demhasaj.

Ai ka shtuar se nuk ka asnjë arsye të vetme që të mos përkrahet një iniciativë e tillë dhe dyshimet që ekzistojnë duhet të sqarohen nga një Komision Hetimor.

Në anën tjetër, analisti politik Blerim Burjani ka përmendur tri pikat e dështimit të Vetëvendosjes sa i përket këtij komisioni.

“Vetëvendosje nuk e konsideron se ka dështuar në menaxhim të energjisë, e dyta nuk dëshiron që përmes një Komisioni Hetimor të merr përgjegjësinë për dështim dhe të fajësohet dhe e treta Vetëvendosje nuk e ka ndërmend të pranoj asgjë që atë e paraqesin si të dështuar deri më tash. Arsye mund të ketë, por artikulimi i kërkesave nuk ishte aq i bindshëm deri me tash nga opozita, por mos të harrojmë se vetëm PSD-ja kishte shfaqur pakënaqësinë”, ka thënë Burjani për Demokracia.com.

Ai ka shtuar se ky komision edhe po të bëhet, do të dështojë. “Kjo çështje nuk duhet të ngecet për shkak se opozitës i intereson dështimi, por për shkak se ka nevojë të hetohet, e deri më tash ishte dështim me këto komisione hetuese. Mjafton të përmendet tema e Valës 900, ku pas hetimit nuk ndodhi asgjë, nuk ndodhi asgjë as me privatizim. Çdo gjë përfundoi, por nuk u pa rezultati, prandaj edhe ky komision edhe po të bëhet nuk do të ketë ka rezultat”, ka deklaruar ai.