Shqiptarët dhe frika

Shkruan: Ardit Mehmetaj

1. Besimi dhe frika. Në Kosovë shumica e popullit janë besimtarë. Shumë nga shumica besimin e kanë mbi bazën e frikës. Për shembull: besimtari mendon sikur teza e ateistit mbi mosekzistencën e Zotit të jetë e saktë, atëherë nuk ka botë tjetër, kjo defakto i bie që as besimtari e as ateisti, as nuk do të dënohen e as nuk do të shpërblehen. Por, nëse ndodh e kundërta, mendon besimtari dhe besimi i tij del të jetë i vërtetë, atëherë besimtari shpërblehet në botën tjetër me parajsë, kurse ateisti dënohet me ferr. “Prandaj, më mirë të besoj”, mendon ky lloj i besimtarëve. Ndërtimi mbi këtë rregull “Nëse nuk ka Zot nuk kam çfarë të humb, nëse ka Zot mund ta fitoj parajsën” është besim që rrjedh nga kalkulimet, besimi i tillë është i ndërtuar mbi themelet e frikës pasi që frika ndaj ferrit po i paraprin besimit.

2. Dashuria dhe frika. Shqiptarët, e në veçanti shqiptarët e Kosovës shquhen për dashurinë e madhe që kanë ndaj Amerikës. Këtë dashuri e kanë shumë më të madhe se ndaj çdo shteti tjetër. Por, po ta përkthejmë realisht do ta shohim që thelbi i kësaj dashurie është frika. Dashuria ndaj shpëtimtarit gjithmonë në thelb e ka frikën e braktisjes. Frika ndaj Serbisë, krijon frikën që Amerika mund të na braktisë, frika e braktisjes e krijon dashurinë ndaj saj. Secili shqiptar që mundohet ta arsyetojë dashurinë e madhe që e ka për Amerikën, ai veçse e shpërfaq frikën. “A e din ti çka bohet me na lanë Amerika neve?” – është fraza e secilit. Kjo frazë tregon që dashurisë sonë që e kemi për Amerikën i paraprin frika e braktisjes.

3. Vota dhe frika. Qeveritë papunëtore s’mund të jetojnë në një popull punëtor. Qeveritë e korruptuara s’mund të jetojnë tek popujt e pakorruptuar. Qeveritë shqiptare deri më tani kanë qenë të korruptuara dhe si të tilla, ato lindin nga populli, zhvillohen në popull, pikërisht populli zgjedh ndër pjesëtarë të tij. Korrupsioni gjithmonë vjen nga poshtë, nga populli, pra qeveritë janë produkt i popullit. Shqiptarët janë popull që korruptohen lehtë përndryshe qeveritë s’mund të jenë të korruptuara nëse populli nuk korruptohet. Këto të dyja janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. I korruptuari voton korruptuesin nga frika. Për shembull: në Kosovë ka mijëra veteranë të rrejshëm të cilët padrejtësisht marrin paga veteranësh. Të tillët i frikëson drejtësia. Vota e tyre shkon për korruptuesit që nëpërmjet tyre u bënë të korruptuar dhe vazhdojnë të mbesin të tillë. Vota e tyre nuk është votë që vjen nga bindja, por votë që vjen nga frika e vënies së drejtësisë. – Kur shqiptarët do ta besojnë Zotin mbi argumentet logjike? – Kur shqiptarët do t’i duan të tjerët me zemër? – Kur shqiptarët do të votojnë mbi bazën e arsyes? Vetëm atëherë kur frika nuk i paraprin logjikës, zemrës e arsyes.