Jasir Asani

Shqipëria në stërvitje intensive përpara Kroacisë, Asani kthehet me ekipin

Një lajm i mirë për Kombëtaren shqiptare ka qenë ai i rikthimit të Jasir Asanit në fushën e blertë, pas një shqetësimi muskulor që ka ndjerë pas ndeshjes me Italinë.

Sulmuesi i krahut do të jetë në gatishmëri për teknikun Sylvinho në ndeshjen e radhës kundër Kroacisë, siç është garantuar edhe nga mjekët e ekipit.

Nga ana tjetër, të gjithë kuqezinjtë janë stërvitur intensivisht në Dortmund për ndeshjen e radhës, ku do të kërkohet të merret një rezultat pozitiv dhe të mbahet gjallë shpresa për një kualifikim të mundshëm nga grupi.

Ditën e diel, Sylvinho pati zhvilluar një stërvitje të lehtë me lojtarët që e zhvilluan të plotë ndeshjen kundër italianëve dhe një stërvitje më gjithëpërfshirëse për pjesën e ekipit që nuk luajti.

Ndërsa, e hëna, ka parë stërvitje më intensive për të gjithë lojtarët.

Më herët, ishte mbrojtësi i majtë, Mario Mitaj, ai i cili në një konferencë për mediat theksoi se i gjithë fokusi është te ndeshja kundër Kroacisë.