Shenja që nuk e respekton askush

Në rrugën “Fazli Grajqevci”, apo siç njihet rruga që të dërgon tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, me shenjë të komunikacionit është i ndaluar trafiku në të dyja kahet për automjetet që nuk janë zyrtare. Por, rëndom aty kalojnë edhe automjete të tjera, e që në disa raste Polica e Kosovës ka shqiptuar dënime për ata që nuk e kanë respektuar këtë ndalesë.

Një qytetar i ka shkruar KosovaPress-it, por i cili nuk ka dashur që t’i bëhet emri publik, duke thënë se nuk kishte dijeni për atë ndalim dhe se Policia e Kosovës i kishte shqiptuar dënim vetëm atij, ani pse në atë rrugë kishin qenë duke kaluar edhe disa vetura të tjera.Ndaj këtyre pretendimeve të këtij qytetari, Policia e Kosovës thotë se si institucion i zbatimit të ligjit, të gjitha veprimet e saja i ndërmerr konform autorizimeve ligjore.

Kritika për vendosjen e shenjës ka edhe Visar Baxhuku nga Kolegji Tempulli, i cili thotë se ajo duhet të vendoset në një vend më të dukshëm dhe duhet të plotësohet.

Ai për KosovaPress ka thënë se duhet të ketë një orar të caktuar që qytetarët të mund të kenë qarkullim në atë pjesë të rrugës.

KosovaPress ka provuar të marr edhe një qëndrim nga Ministria e Infrastrukturës, se a do të ndërmarrin ndonjë veprim për plotësimin e shenjave, por që nuk kanë kthyer përgjigje.