UÇK

Gjykimi ndaj ish eprorëve të UÇK-së vazhdon më 21 maj

Gjykimi ndaj ish eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të vazhdojë më 21 maj, kjo pasi që trupi gjykues për dëshmitarin e 62-të tha se dëshmitë e kaluara të tij mund të vendosen në prova.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Christopher Bennett.

“Sot apo të premten nuk ka asnjë proces gjyqësor. Dje, kryetari i trupit gjykues njoftoi se procedura është anuluar pasi mbrojtja ka thënë se nuk do të ketë pyetje për dëshmitarin e caktuar (02486), me rezultat që dëshmitë e mëparshme të dëshmitarit mund të futen në provë”.

“Procedurat gjyqësore do të rifillojnë të martën, më 21 maj”, ka thënë Bennett për AP.

Dy dëshmitarët e fundit në Speciale, kanë dëshmuar në seanca të mbyllura.

Në gjykimin e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbrojtja e Rexhep Selimit, Eric Tully, ka kërkuar që një prej dëshmive që do të dëgjohet javën e ardhshme të mos ketë vlerë provuese.

Këtë mbrojtja e ka kërkuar pasi që të njëjtëve nuk u ishte dhënë prova materiale, ndërkaq dëshmitari të njëjtat i ka analizuar gjerë e gjatë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët – Kadri Veseli e Jakup Krasniqi – dhe ish-deputetit kosovar, Rexhep Selimi, akuzohen për vrasje, torturë e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën midis viteve 1998–1999.

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, pas më shumë se dy vjet nga konfirmimi i aktakuzës.

Por, katër të akuzuarit e Speciales e kanë mohuar çdo pretendim të Prokurorisë.