SHBA: Do të punojmë për implementimin e Marrëveshjes së Washingtonit

Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një qëndrim për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Aty theksohet arritja e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas tyre, duhet të jenë me bazë në njohjen reciproke.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë të gatshme për të punuar drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme në mes të Kosovës dhe Serbisë, që në bazë ka njohjen reciproke, që hedh baza të bashkëpunimit dhe prosperitetit afatgjatë”.

“Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe inkurajojmë palët që të riangazhohen në këtë proces me synim të adresimit urgjent të çështjeve teknike dhe politike”.

Po ashtu aty thuhet se SHBA do të angazhohet për implementimin e Marrëveshjes së Washigntonit më 4 shtator 2020 në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ne do të punojmë me Kosovën dhe Serbinë për të implementuar Marrëveshjen e Washingtonit në mbështetje të qëllimit për normalizim të plotë”.