Presidentja e Kosovës

Samiti i Paqes për Ukrainën, takimet e rëndësishme që zhvilloi sot Osmani në Zvicër

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Zvicër, atje ku po mbahet Samiti i Paqes për Ukrainën.

Osmani në kuadër të këtij Samiti është takuar me liderë të ndryshëm evropianë.

Ajo paraprakisht është pritur nga presidentja e Zvicërs, Viola Amherd dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Përmes një postimi në rrjetin social, X, Osmani potencoi se në Samitin e Paqes janë të përkushtuar për të mbështetur lirinë e Ukrainës.

“Në Zvicër, me Presidenten zvicerane, Viola Amherd, presidentin ukrainas, Zelensky dhe liderë të tjerë nga e gjithë bota. Në jemi këtu për të përkushtuar mbështetjen tonë për lirinë e Ukrainës”, shkroi Osmani në X.

Më pas është takuar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe me zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris.

Osmani ka thënë se zëvendëspresidentes Harris i përcolli mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe miqësinë tonë të përjetshme.

 “Me Zëvendës Presidenten e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris. I përcolla mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe miqësinë tonë të përjetshme!”, ka thënë ajo.

Po ashtu, Osmani zhvilloi edhe takimin e parë, siç e quajti ajo ‘të përzemërt’ me Presidenten e re të Maltës, Myriam Spiteri Debono.

Samiti për paqe për Ukrainën,po  mbahet në Burgenstok të Zvicrës, ku po merr pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në njoftimin e Presidencës u tha se Osmani do ta riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore, si dhe do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme.

Samiti i nivelit të lartë, i cili do t’i mbledhë liderët botërorë për të diskutuar rëndësinë dhe mënyrat e vazhdimit të mbështetjes për Ukrainën, do të përqendrohet edhe në rëndësinë kritike të arritjes së paqes në Ukrainë.