Rusia dhe “fuqitë e buta” në Kosovë, target shoqëria civile, mediat dhe rrjetet sociale

Kosova, prej vitesh është kthyer në vijë ndarëse në mes Perëndimit dhe Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, përballja e parë në Evropë e Perëndimit dhe Rusisë kishte ndodhur pikërisht në Kosovë, në qershor të vitit 1999.

Triumfi i NATO-së ndaj gjenocidit serb në Kosovë, ishte afër të shpërthente në një konflikt të ri botëror, si rezultat i arrogancës së Putinit, i cili asokohe ishte shef i shërbimit rus dhe sapo kishte filluar dominimin në menaxhimin e politikës ruse, shkruan Ballkani.info.

Trupat ushtarake ruse, menjëherë pas nënshkrimit të Marrëveshjes Tekniko Ushtarake mes NATO-s dhe ushtrisë së Serbisë, pa asnjë paralajmërim ishin dislokuar nga Bosnja e Hercegovina, ku ishin me mision paqeruajtës ushtarak, duke e bllokuar aeroportin e Prishtinës në Kosovë, i cili në atë kohë ishte pika më strategjike ushtarake, përmes së cilës do të dislokoheshin trupat paqeruajtëse në Kosovë.

Për trupat e NATO-s që do të dislokoheshin në Kosovë, ky ishte veprimi i parë më agresiv nga ana e Federatës Ruse, që më vonë do të pasohej me veprime të tjera.

Urdhri i NATO-s për marrjen e aeroportit të Prishtinës

Gjenerali amerikan Wesley Clark kishte urdhëruar gjeneralin britanik Mike Jackson që t’i sulmonte trupat ushtarake ruse dhe të merrte me forcë kontrollin mbi aeroportin e Prishtinës. Por, hezitimi i gjeneralit Jackson dhe negocimi i tij me palën ruse kishte shmangur një konflikt të ri në Kosovë mes NATO-s dhe Rusisë.

Ky konflikt i pasluftës në Kosovë mes Perëndimit dhe Rusisë është edhe indikator i qartë se në vendin tonë gërshetohen interesa të mëdha.

Ndërsa, tash kur ka rënë intensiteti i zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe në prag të zgjedhjeve për parlamentin evropian, Federata Ruse ka rritur sërish agresivitetin me qëllim të shtrirjes së ndikimit politik dhe ushtarak në Ballkanin Perëndimor.

Për shkak të afërsisë fetare dhe etnike, Serbia dhe serbët vazhdojnë të jenë një nga aleatët kryesorë të Rusisë për pengimin e zgjerimit euroatlantik dhe rrjedhimisht rritjen e ndikimit rus në Ballkan.

Pas tërheqjes së trupave ushtarake ruse nga Kosova, të cilët nga popullata vendore ishin konsideruar gjithmonë si trupa armiqësore, ndikimi rus ka vazhduar përmes misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, i njohur si UNMIK, shkruan Ballkani.info.

Lexo edhe: Ekskluzive: Këta janë pjesëtarët e UNMIK-ut që u zunë duke vjedhur, shtetasja ruse me veprimtari të dyshimtë në Kosovë (Foto)

Aktualisht, duke shfrytëzuar ndikimin në këtë mision, Federata Ruse përpiqet që Kosovën ta paraqes si “projekt të dështuar” perëndimor, duke injoruar madje edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili konstaton se shpallja e Kosovës shtet i pavarur nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Federata Ruse, në bashkëpunim me Serbinë, është duke punuar masivisht në bindjen e shteteve të pavendosura që të mos e pranojnë pavarësinë e Kosovës, ndërsa tek disa shtete të tjera duke lobuar edhe për tërheqjen e njohjeve.

Kjo e fundit është mediatizuar shumë shpesh nga ana e Serbisë, ku spektakleve rreth çnjohjeve gjithmonë u prinë Ivica Daçiq.

Për këtë arsye, shtetet perëndimore në krye me ShBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe vende të tjera, janë duke bërë përpjekje që ta eliminojnë raportimin e rregullt të UNMIK-ut në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Këto takime në Këshill të Sigurimit të OKB-së po shfrytëzohen nga Federata Ruse dhe Serbia për propagandë të vazhdueshme me qëllimin e vetëm dëmtimin e imazhit të Republikës së Kosovës, duke e paraqitur atë si “projekt të dështuar” perëndimor.

Aleanca Sllavortodokse “Katërshja Ballkanike”

Zgjerimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor, Federata Ruse është duke iu kundërvënë me planin e saj për krijimin e Aleancës Sllavortodokse, e njohur ndryshe si “Katërshja Ballkanike”, shkruan Ballkani.info.

Këtë aleancë, Rusia gjithmonë ka planifikuar ta krijojë me Serbinë, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Maqedoninë, ku Serbisë do i lihej roli kryesor.

Por, këto plane ruse janë pamundësuar nga investimi perëndimor në Mal të Zi dhe Maqedoni, të cilat tashmë veç janë anëtarët më të rinj të NATO-s.

Po ashtu, viteve të fundit Rusia është akuzuar vazhdimisht edhe për ndërhyrjet që ka bërë në procese zgjedhore në vende të ndryshme perëndimore dhe properëndimore.

Rajoni i Ballkanit gjithashtu është prekur shumë nga kjo tendencë.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare që janë organizuar në Kosovë në qershor të vitit 2017, Federata Ruse kishte mbështetur publikisht subjektin “Lista Serbe”, e cila shpeshherë shihet me potencial për t’u shndërruar edhe në një “Kalë Troje” brenda shtetit tonë të ri.

Përmes këtij subjekti politik, Serbia kishte ushtruar agresion gjatë zgjedhjeve në Kosovë, për çka kishte reaguar edhe misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë.

Agresioni rus në Mal të Zi dhe Maqedoni

Por, serioziteti i veprimeve destruktive nga ana e Federatës Ruse në Ballkan ishte dëshmuar sërish edhe më 15 tetor 2016, kur ishte synuar grushtet në Mal të Zi, me qëllim mbështetjen e partive serbe me prirje proruse.

Qëllimi i tyre ishte pengimi me çdo kusht i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Pothuajse ngjashëm Rusia kishte vepruar edhe me Maqedoninë, duke synuar uzurpimin e Kuvendit të Maqedonisë përmes liderëve prorusë, me qëllim pengimin e anëtarësimit të këtij vendi në NATO.

Në të dyja këto raste, Serbia ishte po ashtu e përfshirë në forma të ndryshme.

Me agresivitet të madh ruso-serb është duke u përballur edhe Kosova.

Federata Ruse, në koordinim me Serbinë, vazhdojnë ta pengojnë procesin e shtetndërtimit dhe integrimin në organizatat ndërkombëtare.

Përcaktimi ynë si vend properëndimor ka ndikuar që Rusia ta shoh Kosovën dhe shqiptarët në rajon si pengesë për realizimin e planeve të saj në Ballkan.

Planet ruse kundër Kosovës dhe zbehjes së ndikimit perëndimor në rajon janë të thella.

Si kundërvënie ndaj prezencës së NATO-s në Kosovë, rusët kanë hapur edhe Qendrën Humanitare Ruso-Serbe në Nish në prill të vitit 2012, e cilësuar prej tyre si qendër e emergjencave, ndërsa botërisht e njohur si qendër spiunazhi rus në Ballkan.

Politika ruse është duke kërkuar nga Republika e Serbisë statusin diplomatik për këtë qendër spiunazhi, në mënyrë që zyrtarët e saj të kenë imunitet diplomatik për veprimtarinë e tyre në rajon, me statusin e konsullatës.

Për shkak të presionit të madh të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, veçanërisht Gjermanisë, Serbia ende po heziton t’ia japë statusin diplomatik kësaj qendre, duke qenë e kushtëzuar edhe me procesin e integrimit në BE.

Ndikimi i qendrës misterioze ruse

Hapja e Qendrës Humanitare Ruso-Serbe në Nish ishte reflektuar menjëherë edhe në Kosovë.

Atë kohë, serbët në pjesën veriore të Kosovës e kishin refuzuar vendosjen e rendit kushtetues, duke barikaduar rrugët kryesore dhe penguar lëvizjen e lirë.

Në mesin e serbëve kishte edhe radikalë nga Serbia të shoqëruar me shtetas rusë, të cilët Qendrën Humanitare Ruso-Serbe e shfrytëzonin si bazë logjistike.

Po ashtu, përmes kësaj qendre kinse humanitare, Federata Ruse personave që qëndronin në barrikada u kishte dërguar edhe pajisje fushimi, me qëllim krijimin e kushteve më të mira akomoduese për ta.

Putin dhe Vuçiq u takuan 15 herë

Federata Ruse dhe Serbia kanë nënshkruar një mori memorandumesh bashkëpunimi me strukturat e sigurisë së Serbisë.

Një nga këto marrëveshje është edhe ajo e vitit 2017-të në mes të shërbimit enigmatik rus “FSO”, i njohur ndryshe edhe si shërbimi i presidentit Vladimir Putin dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP).

Një nga pikat e kësaj marrëveshje parasheh edhe shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve teknologjike të MUP-it serb për nevojat e FSO-s ruse.

Maja e Pançiqit ku ka qenë e vendosur qendra e radarëve të ish-Jugosllavisë, qendra e parë që është sulmuar nga raketat e NATO-s në kuadër të sulmit të saj 78 ditorë ndaj Serbisë, është një nga pikat strategjike që po synohet nga Federata Ruse.

Lokacioni ku ndodhet kjo qendër është territor i kontestuar mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, pasi ndodhet në brezin kufitar mes dy vendeve.

Lartësia e saj prej 2017 metrash ofron pozitë strategjike për përgjimin e telekomunikimeve me një rreze të gjerë, ku përfshihet territori i Kosovës, një pjesë e territorit të dy shteteve anëtare të NATO-s, Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe një pjesë e Maqedonisë, që dje e ka nënshkruar protokollin e anëtarësimit në NATO.

Si rezultat i ndikimit rus në Serbi, janë shpeshtuar edhe takimet ndërshtetërore mes tyre, ku deri më tani Vuçiq dhe Putin janë takuar gjithsej 15 herë.

Mbështetja që po i ofrohet nga Putini, ka bërë që shumë herë Vuçiq ta kërcënojë me invadim ushtarak edhe veriun e Kosovës.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, Vuçiq ka bërë katër kërcënime të tilla, duke qenë i vetëdijshëm se çfarëdo sulmi ndaj territorit të Republikës së Kosovës konsiderohet si sulm ndaj NATO-s.

Përveç ndikimit politik dhe ushtarak, Federata Ruse është duke synuar edhe shtrirjen e ndikimit të saj në aspektin fetar.

Kisha Ortodokse Ruse është duke synuar që të rris ndikimin e saj dhe të marrë primatin mbi selinë e besimtarëve ortodoksë, mbi të ashtuquajturën Patriarkanën e Kostandinopojës.

Kisha Ortodokse Ruse është duke mbështetur edhe politikat e Kishës Ortodokse Serbe, për mosnjohjen e pavarësisë së Kishave Ortodokse të Maqedonisë dhe Malit të Zi, si dhe përvetësimin e të gjithë trashëgimisë ortodokse bizantine, duke e paraqitur atë si serbo-ortodokse.

Në vitin e fundit, Kisha Ortodokse Ruse ka pasur një konflikt edhe me Patriarkanën e Kostandinopojës, e cila kishte njohur pavarësinë e Kishës Ortodokse Ukrainase nga Kisha Ortodokse Ruse.

Mbështetja ruse për ekstremistët e djathtë

Vlen të theksohet se viteve të fundit në Evropë, partitë politike të ekstremit të djathtë, të njohura për aktivitetet e tyre populiste, janë duke shtrirë ndikimin e tyre si rezultat i mbështetjes së Rusisë.

Fronti Nacional i Marine Le Pen në Francë, që kishte pranuar dhjetëra milionë euro nga një bankë ruse, është vetëm një nga shumë rastet kur Rusia tregon agresivitetin e saj për të dominuar me çdo çmim.

Rritja eventuale e mbështetjes për ekstremistët djathtistë në zgjedhjet për parlamentin evropian do të ndikojë në rritjen e ndikimit rus në Evropë, që rrjedhimisht do të pasqyrohet negativisht edhe në proceset zgjeruese të saj për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Për të realizuar qëllimet e saj për shtrirjen e ndikimit në Kosovë dhe rajon, Federata Ruse po i përdorë edhe politikat e të ashtuquajturave “Fuqi e butë”, përmes mbështetjes së grupeve të ndryshme të shoqërisë civile, mediave dhe rrjeteve sociale.

Përmes tyre, Rusia është duke tentuar që ta paraqes Kosovën si projekt të dështuar të perëndimit, shtet kriminal pa të ardhme dhe si një territor të pushtuar nga SHBA-ja dhe NATO-ja.

Megjithatë, strukturat politike dhe ato të sigurisë së Kosovës, kanë treguar se dinë të jenë partnerë strategjikë, sidomos në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Frika e Kosovës dhe forcave properëndimore në shtetet fqinje është se Federata Ruse është duke investuar që të përdorë çdo mjet për të arritur qëllimin: dëmtimin e të ardhmes evropiane. /Ballkani.info/