3-0

Rumania me fitore bindëse ndaj Ukrainës

Fazën përgatitore e kishte shumë të zbehtë. Por kur erdhi koha, Rumania shfaqi nivel të lartë.

Të hënën pasdite në Munih, Rumania e fitoi 3:0 ndeshjen e parë në Euro 2024. Fitoren bindëse rumunët e arritën ndaj Ukrainës, që ishte favorizuar para ndeshjes. Kjo edhe për faktin se Rumania barazoi pa gola me Bullgarinë e Lihtenshtajnin në prag të Evropianit.

Në Munih, ku kishin përkrahje të madhe, rumunët shfrytëzuan rastet dhe më pas menaxhuan shumë mirë epërsinë e krijuar.

Nicolae Stanciu shënoi supergol në minutën e 29-të për 1:0. Me goditje nga distanca shënoi edhe Razvan Marin në minutën e 53-të.

Ndërkohë Denis Dragus e shënoi golin e tretë në minutën e 57-të.

Ukrainasit, që po ashtu kishin përkrahje nga tribunat, tentuan, por nuk ia dolën të rrezikojnë fitoren e Rumanisë.

Për Ukrainën paraqitja në Evropian ka vlerë më të madhe se për përfaqësueset tjera. Ukraina ende vazhdon të përballet me pushtimin rus.

Pas katër ditësh Ukraina luan me Sllovakinë në Duesseldorf, ndërsa Rumania takohet me Belgjikën në Koeln.