Rukiqi thotë se koeficienti për pagat duhet të caktohet me parim të njëjtë

Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi thotë se ka një diskpreancë të madhe aktualisht në paga ndërmjet sektorit privat dhe atij publik.

Në “Express Intervistën” ai ka thënë se rritja në sektorin publik nuk duhet të bëhet pa asnjë analizë.

“Sektori privat zhvillohet krahas mirëqenies së qytetarëve, mirëpo kjo rritje nuk duhet të vjen nga masat administrative pa asnjë analizë, pa rritjen e efikasitetit të sektorit publik. Ka një diskrepancë të madhe, por sektori privat i rrit pagat kur ka performancë”, ka thënë ai.

Ai thotë se aktualisht sektori publik ofron siguri më tepër në punë.

“Ka anomali të tjera, që lidhen me kushtet e punës, me dinjitetin, megjithatë shohim kompani serioze që kanë kushte shumë të mira dhe me legjislacion shumë të mirë. Por, problemin e kanë se ai publik ka një siguri më të madhe. Sa herë që ka kërkesë dhe rritet presioni atëherë do të ndodhë rritja e pagave”, ka thënë Rukiqi.

Më tutje Rukiqi ka shtuar se dy sektorë që kanë efekte të mëdha, shëndetësor dhe arsimor, po krijojnë efekt domino pasi çdo cikël elektoral ka kërkesa për rritjen e pagës.

“Ka edhe disa elemente, që unë i quaj të shantazhit. Nga kostoja e madhe e administratës publike më së shumti pëson ekonomia e vendit, duke e rritë atë me funksione që nuk janë ndonjëherë të domosdoshme ndikojnë edhe në sektorin privat. Pajtohem që punëtori shëndetësor, dhe të tjerët që kanë rrezikshmëri duhet të kenë pagat e dinjitetshme. Është normale të ketë njëlloj diskriminimi pozitiv në këto raste. Ka shumë sektorë të tjerë që stimulohen pa nevojë, dhe bëhen pengesë”, ka thënë Rukiqi.

Ai thotë se këto dy sektorë janë bazë e mirë elektorale për partitë politike.

“Besoj se Projektligji i pagave s’duhet të jetë një proces i mbyllur, e nuk duhet të vendoset në tri-katër zyre. Por, duhet të jetë debat i hapur. Duhet të dihet me çfarë llogaritet koeficienti, duhet të bëhet me parim të njëjtë. Në bazë të shkollimit, rrezikshmërisë apo të tjera. Nuk është politikë zhvillimore me rritë administratën”, thotë Rukiqi.

Sipas tij politikë zhvillimore është një qasje që rritë pagën, performancën, produktivitetin etj.

“Politikë zhvillimore është me ia lehtësuar barrën sektorit privat. E për këtë duhet pakt. Kur të hyhet në zgjedhje duhet të kursehet elektorati. Nëse dëmtohet buxheti, nëse rrezikohet zhvillimi ekonomik me premtime të tilla dëmtohet edhe zhvillimi i shtetit”, thotë Rukiqi.

Më tutje ai ka folur edhe për Telekomin, privatizimin e të cilit e mbështet.

“Transformimi i ekonomisë dhe largimi i shtetit nga aty që nuk dinë gjithmonë është lajm i mirë, pasi krijon hapësirë për transformim. Është vështirë të argumentohet se sa jemi munduar me këtë transformim. Nëse Telekomi vazhdon me këtë avaz falimentimi i tij është i pashmangshëm”, ka thënë ai.