Rrëfimi i gazetares së shndërruar në profesoreshë e ushtare të UÇK-së

Ajo ishte vetëm 23 vjeçe kur e mori epitetin e profesoreshës së gjuhës shqipe pa e ditur se çka do të rrjedh më pas. U dënua nga shteti malazez vetëm pse nuk e pranoi ndryshimin e plan-programeve mësimore në gjuhën shqipe. Rrugëtimin e vazhdoi si gazetare e kulturës në Radio Televizionin e Prishtinës, për të përfunduar e veshur me uniformën e UÇK-së. Jeta e saj i ngjason skenarit të një filmi me përplot peripeci e ngjarje.

Sot mban e ditarin në duar si profesoreshë, derisa shumë kohë më parë ishte “Persona Non Grata” (person i padëshiruar) në shtetin malazez.

Ky është rrëfimi shumëdimensional i Mejreme Maraj Berishës, gruas që ka shumë më shumë për të treguar.

Mejreme Maraj Berisha është lindur më 17 qershor të vitit 1957 në një fshat të Krajës. Vajzë e një agronomi atdhetar dhe një gruaje bujare, Mejremja e përfundoi shkollimin fillor në vendlindje, ndërsa e vazhdoi në gjimnazin ‘’Vëllazërim-Bashkim’’, disa kilometra larg Krajës, në Ulqinin bregdetar. Studimet vendosi t’i përfundojë përtej kufirit, në Kosovë, ku edhe u martua në vitin 1983.


Veshja e Krajës me burime ilire, fisi i labeatëve. Mejremja në klasën e parë, në anën e majtë

“Non Grata” – Person i padëshiruar

Duke kundërshtuar çdo vendim që ishte kundër shqiptarëve që banonin në Mal të Zi dhe duke e mbrojtur çështjen kombëtare, Mejremen Mali i Zi e shpall person të padëshiruar. Ky vendim ia pamundësoi për disa vjet shkeljen e tokës ku ajo kishte lindur e ishte rritur.

U shpall person i padëshiruar si rezultat i mosbindjes për t’i nënshkruar plan-programet arsimore të hartuara nga pushteti i atëhershëm serbo-malazez, të cilat ishin plotësisht në kundërshtim me të vërtetat historike në Gadishullin e Ballkanit, ku shtrembërohej e vërteta dhe historia shqiptare. Brenda një kohe të shkurtër fillon represioni politik kundër intelektualëve në Ulqin, sidomos pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë. Pas një konference të Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi, paraleleve shqipe iu cunguan plan-programet mësimore për gjuhën shqipe, historinë dhe gjeografinë. Mejremja, së bashku me shumë profesorë të tjerë, përfshirë Bajram Rexhën (i ndjerë), Mehmet Bardhin, veprimtar i çështjes kombëtare, Tahir Pereziqin (i ndjerë), Qazim dhe Riza Rexhën e shumë të tjerë, u dënuan, duke i larguar fillimisht nga puna, e një numër prej tyre edhe u burgosën. Mejremja kthehet në Kosovë pa përfunduar gjykimi, ku strehohet te disa familje që i dolën në ndihmë. “Mali i Zi më shpalli “Persona Non Grata”, mirëpo duke i falënderuar shokët e babait, Mustafain, familjet si Rexhaj nga Barileva, familjen Shaqiri nga Verbica dhe shumë e shumë familje të tjera që më dolën në ndihmë, ma mundësuan prapë ta shkel tokën time, tokën e babait”, u shpreh ajo.

Nga lufta intelektuale në luftën e rezistencës me armë në dorë

Mejremja qe e vetëdijshme se për çlirimin e vendit duhej të përdoreshin të gjitha mënyrat, deri tek ajo e çlirimit me pushkë në dorë. Kështu, duke e ndier nevojën gjithnjë e më shumë për rezistencë dhe çlirim nga regjimi shekullor serb, ajo e zhveshi petkun e rezistencës intelektuale dhe iu bashkua petkut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo u inkuadrua në celulat e UÇK-së, në bataljonin e dytë, në Brigadëm 153. Pas përfundimit të luftës në Kosovë ishte edhe oficere e rezervës aktive në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, në Komandë dhe Doktorinë. Trupat Mbrojtëse të

Kosovës ishin pjesë përbërëse e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nën protektoratin e UNMIK-ut, pjesëtarët e së cilës në shumicë ishin nga radhët e UÇK-së.


Mejremja gjatë kohës së pauzës në TMK , duke e kaluar kohën e lirë

Një rrugë me tri drejtime

Veprimtarinë e saj në Kosovë e nisi fillimisht duke punuar si gazetare e kulturës në vitin 1989 në Radio Televizionin e Prishtinës. E vazhdoi punën deri në mbylljen e këtij televizioni nga regjimi serb më 7 Korrik 1990. Ishte edhe reportere e pajtimit të gjaqeve në Kosovë në vitin 1990.

“Veprimtarinë në Kosovë e nisa pas martesës (1983), ku punova fillimisht në “Farmed” e gjashtë vjet më pas në Radio Televizionin e Prishtinës, në Redaksinë e Kulturës. Kam raportuar edhe për pajtimin e gjaqeve në Kosovë”, rrëfen Mejremja.

Punën si gazetare e vazhdoi edhe pasi e zhveshi uniformën e UÇK-së, pas mbarimit të luftës së fundit në Kosovë, ku punoi në “Radio Prishtina”.

Ndërkaq, krahas punës si gazetare, Mejremja iu bashkua Aleancës së Gruas, ku, pas themelimit të saj, zgjidhet kryetarja e parë grua e kësaj aleance.

“Punën si gazetare e vazhdova edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë. Unë isha gjithashtu kryetarja e parë e Aleancës së Gruas në Kosovë”, shtoi më tutje Mejremja.


Viti 2002, Mejremja duke punuar në radio

Rikthimi në profesionin e dikurshëm

Tani, Mejremja, 62 vjeçe, punon si profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë në gjimnazin e shkencave të natyrës ”Xhevdet Doda” në Prishtinë. Ajo iu kthye profesionit prej të cilit e kishte nisur tërë rrugëtimin e saj. ‘’Kohën që më ka ngelur deri në pension do ta kaloj në arsim’’, tregon Mejremja, teksa qëndron e ulur në sallën e arsimtarëve të këtij gjimnazi.

Çdo paradite niset nga fshati Koliç drejt objektit të këtij gjimnazi. Asaj i duhet t’i kalojë 24 kilometra për të mbërritur në vendin e saj të punës.

Por, për të puna dhe fshati nuk janë larg, sepse për të edukimi dhe arsimimi janë kontributet më të mëdha që dikush mund t’i ofrojë.

”Do të vazhdoj të kontribuoj sa më shumë për edukimin dhe arsimimin e këtyre gjimnazistëve”, u shpreh Mejremja, teksa zilja e shkollës tashmë veç filloi te dëgjohej.

*Gresa Nitaj është studente e Departamentit të Gazetarisë së Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.