Reagon Daut Haradinaj: Dreshaj po tentohet të penalizohet për një gjobë trafiku që e kishte paguar para 3 vjet e 3 ditë

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka njoftuar që Dr. Shemsedin Dreshajt po tentohet që t’i penalizohet dhe t’i ndalohet kandidimi për deputet.

Haradinaj tregon se sipas informacioneve që i ka, bëhet fjalë për një gjobë trafiku në vlerë 18 euro, gjobë të cilën sipas Haradinajt, kandidati Dreshaj e kishte paguar para tre vjet e tre ditë më parë.

“Një vendim i tillë është i çuditshëm. Aleanca do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për t’u ankuar kundër këtij vendimi. Edhe pas kontakteve me kolegë të tjerë kandidatë, që po tentohet penalizmi i tyre, po shprehet habi se nuk janë në njohuri dhe nuk kanë qenë subjekt i ndonjë dënimi penal”, ka njoftuar Haradinaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

Ai tutje ka thënë se shpreson që pas ankimimit do të përmirësohet ky gabim.